Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ka bërë thirrje për respektimin e rregullores së Kuvendit dhe të etikës gjatë seancave plenare. Ai kërkoi nga opozita që të lejojnë njëri-tjetrin të flasin dhe të mos ndërpresin diskutimet në sallë.

Reagimi i Ballës erdhi pas ankesave të opozitës se nuk u jepet fjala në mënyrë të drejtë dhe se po kufizohen në të drejtën për t’u shprehur. Duke iu përgjigjur kritikave, Balla theksoi se kur merr fjalën Kryeministri, debati nuk duhet të degradojë në ndërprerje apo kaos. “Se si e përdor fjalën Kryeministri, është e drejta e tij”, u shpreh ai, duke shtuar se debati politik duhet të ruajë etikën institucionale.

“Ju lutem, mos na shtrembëroni atë që themi. Po jua përsëris që kur flisni ju, askush nuk pipëtin nga ana jonë. Të njëjtën gjë duhet të bëni edhe ju. Le t’i japim fjalën njëri-tjetrit që t’i japim mundësi të flasim të gjithë, sipas rregullores. Jemi munduar t’ju themi që nga dita e parë: kur merr fjalën Kryeministri, duhet ta respektoni. Se si e përdor fjalën Kryeministri, është e drejta e tij. Kishte një propozim nga z. Bardhi për nisjen e debatit. Para se të hyjmë, kemi disa kërkesa për mocione për debat. Këto kërkesa janë të përcaktuara qartë në rregullore: prezantohet pro dhe kundër, dhe në fund, pas kësaj, bëhet votimi”, thotë Balla.