Një konflikt mes disa të rinjve në Korçë ka përfunduar me plagosjen me thikë të një 19-vjeçari. Ngjarja është regjistruar pasditen e sotme në lagjen nr. 11 të qytetit.

I plagosuri, me inicialet M.A., ka marrë një goditje me thikë në kofshë dhe është transportuar në spitalin e Korçës, ku po merr ndihmë mjekësore. Sipas informacioneve paraprake, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka reaguar menjëherë pas ngjarjes, duke bërë të mundur kapjen e 23-vjeçarit R.I., i dyshuar si autor i plagosjes.

Gjatë veprimeve hetimore, rezultoi se i riu kishte shkelur edhe masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Gjithashtu, gjatë kontrollit ndaj tij u gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa.

Policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e konfliktit.