Një përplasje mes dy adoleshentëve në ambientet e një shkolle të mesme në Krumë ka bërë që njëri prej tyre të përfundojë me dëmtime, ndërsa rasti tashmë është referuar në Prokurori.
Ngjarja është regjistruar gjatë paradites së djeshme në oborrin e gjimnazit. Sipas të dhënave të policisë, dy nxënës 17-vjeçarë, të cilët mësojnë në të njëjtën klasë, janë përfshirë në një konflikt që dyshohet se ka nisur për motive të dobëta.
Gjatë përplasjes, njëri prej adoleshentëve dyshohet se ka përdorur një mjet të vogël prerës, duke i shkaktuar gërvishtje bashkëmoshatarit të tij.
Nxënësi i dëmtuar është dërguar për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Pas trajtimit, ai është larguar drejt banesës.
Policia e Hasit ka nisur procedurat për sqarimin e plotë të incidentit. Materialet në ngarkim të 17-vjeçarit të dyshuar i janë përcjellë Prokurorisë, e cila do të vijojë me veprimet e mëtejshme.
Duke qenë se në ngjarje janë përfshirë të mitur, procedurat janë zhvilluar në praninë e prindërve dhe të psikologut. Për incidentin janë zhvilluar diskutime edhe me familjarët e dy nxënësve dhe me stafin pedagogjik të gjimnazit.
