Valentin Gjoni, vëllai i 37-vjeçarit Asim Gjoni që u vra nga babi i tij, Hekuran Gjoni ka folur për “Shqipëria Live”.

Ai ka fajësuar motrën e tij të vogël, si shkaktare të konfliktit mes babait dhe vëllait të tij, që përfundoi në tragjedi. Madje ai deklaroi se nuk do ta shohë më me sy.

 “Kjo që ndodhi na ra si bombë, nuk kam fjalë. Kur e morëm vesh, më ka ardhur shumë keq që kanë nxjerrë mediat disa gjëra për vëllain tim që ai nuk i ka bërë kurrë në jetë. Kur ndodhi ngjarja, unë isha në shtëpinë time në katin sipër. Më erdhi motra e vogël duke ngjitur shkallët. Më tha eja shpejt se babi po zihet me Asimin. Unë zbrita menjëherë dhe pashë që vëllai kishte ndërruar jetë. Lëvizi pak sytë, i thirra Asim, por nuk reagoi. Lajmëruam ambulancën, por e pashë që nuk i rridhte më gjaku. U trondita shumë. Nuk isha gjatë ngjarjes, vetëm çova vëllain tek ambulanca. Ata na larguan dhe ne shkuam me makinë personale. Na thanë në spital që vëllai ka ndërruar jetë.

Di të them se vëllai ka qenë njeri alegro, kunatat i ka konsideruar si motra. I kanë nxjerrë se ka qenë dhunues apo pijanec, këto gjëra nuk i ka pasur kurrë.

Nuk marr për bazë fjalët as të nënës e as të motrës, jo e jo. Ai ka qenë më i miri nga ne. Me babain nuk ka pasur përplasje, tani konflikte si në çdo shtëpi, por jo që të shkojë puna deri aty ku e kanë deklaruar, nuk mund ta pranoj kurrë.

Ai është babai im, por nuk e di si e ka bërë që ka marrë thikën dhe ka therur vëllain tim. Babai edhe mund ta pinte ndonjë gotë por jo të dehej. Nuk e di si ka ndodhur, ose do ketë diçka tjetër, nuk e di çfarë të them.

Me motrën nuk kam folur, nuk dua ta shoh më me sy, nuk kam motër tjetër, përveç motrës së madhe. I gjithë konflikti ka ardhur nga ajo. Nuk e di ku është motra, më kanë thënë që është në spital. Nuk dua as të shkoj ta shoh, më vjen keq se kunata pati një humbje shumë të madhe dhe nipërit e mi, por do e kalojmë. Do mundohemi ta respektojmë kunatën edhe më shumë se motrën.

Nuk kam dijeni që konflikti të ketë qenë për çështje pronësie. Më ka kërkuar një pasaportë babai, por nuk di gjë. Shtëpia e gjitha është e vëllait të vogël, i kemi ndarë.

Me babain nuk kemi komunikuar fare, ai është në Prokurori. Momenti i fundit që e kam parë ka qenë kur shkova të jepja dëshminë”– tha ai.