Chris LaCivita, kryestrategu amerikan i Partisë Demokratike, ka theksuar rëndësinë e një fushate moderne, që është e përqendruar te komunikimi i drejtpërdrejtë me votuesit. Kjo është bërë gjatë një bashkëbisedimi me të rinjtë e FRPD (Forca e Rinisë Demokratike).
LaCivita u shpreh se mesazhi i Berishës për të rinjtë që ata duhet të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri dhe të mos largohen, është thelbësor për ardhmërinë e vendit. Ai gjithashtu theksoi se është koha për të reaguar ndaj një regjimi socialist dhe një udhëheqësi që ka sjellë paqartësi dhe paqëndrueshmëri në qeverisje dhe ekonomi.
“Duhet të keni kurajon të ngriheni dhe të luftoni për vlerat individuale. Nuk është vetëm e drejtë të votosh, por është përgjegjësi,” theksoi ai.
Në fund, LaCivita bëri apel për një angazhim të madh të të rinjve: “Merrni me vete pesë veta të tjerë në zgjedhje. Ju mund të keni ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatin e çdo zgjedhjeje. Shqipëria ka qenë gjithmonë në pararojë dhe tani është momenti të mbrojmë këtë rol”.
Në lidhje me strategjinë e fushatës, ai theksoi se duhet të jemi shumë më aktivë në rrjetet sociale dhe të përdorim metoda jo tradicionale për komunikim me votuesit. Ai shtoi se është shumë e rëndësishme të flitet me grupin e duhur të votuesve, për të siguruar që mesazhi të arrijë në mënyrën më të përshtatshme.
“Mesazhi i Dr. Berishës, për mundësinë që të rinjtë të qëndrojnë në Shqipëri dhe të ndërtojnë të ardhmen këtu, pa pasur nevojë të largohen, është thelbësor,” tha LaCivita.
Ai gjithashtu e krahasoi situatën politike në Shqipëri me atë të Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se kjo është një luftë mes konservatorëve të vërtetë dhe një udhëheqjeje të paqëndrueshme dhe socialiste, e cila ka krijuar paqëndrueshmëri në qeverisje dhe ekonomi. Stabiliteti në rajon është një faktor i rëndësishëm dhe zhvillimet në Shqipëri janë gjithashtu të ndjekura me vëmendje nga Shtetet e Bashkuara.
