Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në qytetin e Korçës, ku disa fëmijë të mitur janë dërguar me urgjencë në spital nga familjarët e tyre.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se fëmijët kanë konsumuar disa karamele, të cilat i kishin gjetur pranë një koshi mbeturinash, në një zonë të banuar të qytetit.
Mjekët e spitalit rajonal po ndjekin nga afër gjendjen shëndetësore të të miturve, ndërsa nuk dihet ende nëse bëhet fjalë për një helmim apo ndonjë substancë të dyshimtë.
Ndërkohë, grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa pritet që analizat laboratorike të hedhin dritë mbi përmbajtjen e karameleve të dyshuara.
Njoftim i Policisë:
Korçë/Informacion paraprak
Rreth orës 18:15, në Pediatrinë e Spitalit të Korçës janë dërguar nga familjarët për të marrë ndihmë mjekësore 3 fëmijë, të moshave 3, 7 dhe 10 vjeç.
Sipas deklarimeve të familjarëve, dyshohet se fëmijët kanë konsumuar disa karamele, të cilat i kanë gjetur në rrugë, pranë një koshi mbeturinash.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.