Kompania postare DHL i ka kthyer përgjigje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për procesin e dorëzimit të votës në Greqi. Sipas kompanisë, çdo dërgesë ka provë dorëzimi.
“Nga të gjitha kërkesat për verifikim, janë vetëm 5 raste në total në të gjitha vendet përfshirë Greqinë, që janë në ndjekje për verifikim. Çdo dërgesë e dorëzuar ka provë dorëzimi. 4,779 dërgesa janë marrë nga korrierët në shtëpi në kthim. 18, 489 dërgesa janë dorëzuar nga votuesit në pikat e shërbimit DHL dhe 2,590 dërgesa janë dorëzuar në pikat e partnerëve lokalë të DHL.”, thekson DHL.
Shkresa e DHL-së, e cila është protokolluar nga KQZ mban datën 09 maj. Kompania në fjalë thekson se numri i zarfeve të dorëzuara në shtetin e Greqisë është 61 106, ndërsa të tërhequra janë 52 944. Më tej, në kthimin e përgjigjes së DHL-së thuhet shprehimisht sa vijon:
“Ne sigurojmë se dërgesat janë procesuar në përputhje me procedurat standarde të cilat përfshijnë Direct Signature (firmosje të personit marrës) në dorëzim. Partneret lokalë janë pjesë e rrjetit me të cilët DHL Greqi bashkëpunon (ExclusiveTrusted Partners) të cilët ndjekin dhe plotësonin tërësisht procedurat e përcaktuara nga DHL, përfshirë procesin e dërgesave të zgjedhjeve në Shqipëri”.
Kompania me këtë reagim ka hedhur poshtë qëndrimin e KQZ për votat e Diasporës nga Greqia, të cilat deri tani janë vendosur të lihen veçmas me vendim të kryekomisionerit Ilirjan Celibashi.





