Emisioni “Inside Story” në Top Channel ka sjellë detaje të reja mbi vrasjen tragjike të Martin Canit.

Policia e Shtetit me një reagim publik rrëzoi pretendimet për pjesëmarrjen e një personi të dytë në krim. Këtu, duhet ndarë pjesëmarrja në konfrontim ku ishin 9 persona, dhe përdorimi i thikës. Pra, blutë mohojnë që të ketë autorë të dytë që ka përdorur thikë duke u kujdesur të vënë në dukje edhe togfjalëshin “deri në këto momente të hetimit”.

“Policia e Shtetit disponon dëshmi të personave të përfshirë në konflikt dhe pamje filmike në afërsi të vendit të ngjarjes ku ka ndodhur tragjedia dhe në kushtet e ndalimit ligjor për publikimin e tyre, informon opinionin publik se nga hetimet e deritanishme nuk implikohet një autor i dytë i përfshirë në këtë ngjarje”- thuhej në reagim.

Reagimi i policisë së shtetit për përgënjeshtrimin e rastit acaroi më shumë situatën e familjes Meçe. Luisi reagoi nga spitali duke shpjeguar ngjarjen dhe njëherë dhe duke theksuar praninë e një autori tjetër në skenën e krimit. Në raportime të shumta, hidheshin akuza se po fshihej emri i një personi tjetër të përfshirë i quajtur Kledon Bejkaj.

14-vjeçari është djali i Nevila dhe Maksim Bejkajt. Dy persona me pozita mjaft të rëndësishme në radhët e drejtësisë së re. Maksimi punon si hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit, ndërsa Nevila Specialiste e Regjistrave pranë SPAK. Në fakt, siç zbuluam edhe më sipër emri i 14-vjecarit Bejkaj është pasqyruar në dosjen hetimore si pjesëmarrës në konfrontim. Ai ka qenë aktiv në sherr dhe madje ka pësuar dëmtime. Por, me provat e siguruara deri tani nuk ka të dhëna nëse veç autorit Përlleshi, ka persona të tjerë që kanë përdorur thikë.

Është bërë këqyrja e jashtme e të miturit Kledion Bejkaj, ku vihet re se ka një gjatësi 170 cm. Në mollëzën e djathtë të fytyrës vihet re një dëmtim ngjyrë mavi me përmasa 0.7x1cm e shoqëruar me një njollë me ngjyrë më të errët dhe fryrje e ënjtje në madhësinë e një kokërr are. Në anën e brendshme të buzës së sipërme në këndin e djathtë të anës së djathtë vihet re një njollë me ngjyrë të kuqe e shoqëruar me çarje të indeve me përmasa 1x1cm Në gjurin e këmbës së djathtë në anën e jashtme ka një dërmishtje me ngjyrë të të kuqerremtë në formë rrethore me diametër 1 cm”,– thuhet në dosje.