Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka intensifikuar kontrollet në institucionet penitenciare, në kuadër të masave për eliminimin e sendeve të ndaluara dhe atyre që konsiderohen të panevojshme apo luksoze për të burgosurit.
Sipas informacioneve të siguruara nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, kontrolle të befasishme janë zhvilluar orët e fundit në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, si dhe në regjimin 41 bis. Forcat operacionale kanë kontrolluar qelitë dhe ambientet përkatëse.
Gjatë aksionit janë sekuestruar një sërë sendesh, mes tyre karrige plastike dhe prej druri, lloje të ndryshme tenxheresh, si dhe mjete që mund të përshtaten apo përdoren për krijimin e sendeve të rrezikshme. Gjithashtu, janë hequr biçakë për qërimin e frutave dhe perimeve, si dhe materiale të tjera të konsideruara të panevojshme.
Kjo nismë është pjesë e një plani të nisur që prej muajit prill, i cili synon forcimin e kontrolleve në burgje dhe parandalimin e futjes së telefonave celularë, lëndëve narkotike dhe sendeve të tjera të ndaluara.
Në muajt e fundit, aparate telefonike janë zbuluar në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, si dhe në institucionet penitenciare në Durrës dhe Drenovë. Pajisjet e gjetura janë dërguar për ekspertim në laboratorët e SPAK.
Ndërkohë, autoritetet po vijojnë hetimet për identifikimin e personave përgjegjës për futjen e sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit. Telefona celularë janë konstatuar edhe në ambiente të përbashkëta të burgjeve, ndërsa hetimet synojnë të përcaktojnë personat konkretë të përfshirë në këtë veprimtari.
