Një kontroll i papritur i zhvilluar paraditen e kësaj të marte në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Drenovë ka çuar në zbulimin e një telefoni celular në qelinë e Laert Haxhisë, i cili po vuan dënimin me burgim të përjetshëm.

Burime bëjnë me dije se kontrolli u krye nga strukturat përgjegjëse të burgut, ndërsa pas gjetjes së pajisjes ajo u sekuestrua menjëherë. Telefoni pritet t’i nënshtrohet ekspertizës nga specialistët e SPAK-ut, të cilët do të verifikojnë përmbajtjen e tij dhe komunikimet e mundshme.

Autoritetet kanë nisur një hetim për të zbuluar mënyrën se si aparati celular ka hyrë në ambientet e sigurisë së lartë, ndërsa nuk përjashtohen masa disiplinore dhe procedura të tjera ligjore ndaj personave që mund të kenë përgjegjësi.

Ky është një tjetër rast që ngre pikëpyetje mbi futjen e sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit, fenomen që është konstatuar edhe më parë në burgje të ndryshme të vendit.

Laert Haxhia është dënuar me burgim të përjetshëm si autor i disa ngjarjeve të rënda kriminale. Mes tyre janë vrasja e Zamir Latifit dhe Jurgen Çelës në Lushnjë, ndërsa ndaj tij rëndojnë edhe akuza të tjera për vepra penale të rënda.