Drejtoria e Burgjeve ka zhvilluar një aksion në Burgun e Fushë-Krujës, ku janë kryer kontrolle në qelitë e të dënuarve. Burime bëjnë me dije se është sekuestruar një celular qe dyshohet se i përket Ramazan Rrajës. Sipas burimeve, celulari i është dorëzuar për ekspertizë SPAK për tu këqyrur në laboratorin dixhital Operacioni vazhdon pasi dyshohet se janë fshehur dhe aparate të tjerë celularë.
Ramzana Rraja është nipi i ish-deputetit socialist, Rahman Rraja dhe u arrestua në prill të vitit 2023 në Fushë-Krujë. Ai akuzohet nga SPAK për përfshirje në atentatin e 1 nëntorit 2019 ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, ngjarje ku mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku dhe u plagos Landi Muharremi (Rrumi) dhe Arjan Ndoja. Po ashtu, ai është dënuar me 12 vjet burg në Belgjikë për trafik kokaine, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Gjatë arrestimit të tij në prill të vitit 2023 në Urën e Gjolës, policia i gjeti dhe i sekuestroi një armë zjarri pistoletë me fishek në fole, të cilën e mbante në brez.
Ai njihet edhe për ngjajre të tjera kriminale. Në vitin 2018, u akuzua zyrtarisht nga ish-oficeri i policisë gjyqësore në Fushë-Krujë, Emiliano Nuhu, për kërcënim dhe presion me qëllim tërheqjen e një kallëzimi penal të bërë ndaj një kushëriri të tij. Emri i Ramazan Rrajës, u përmend nga policia edhe në masakrën e mbikalimit të Fushë-Krujës, ku mbetën të vrarë tre persona Briland Martinaj, Dilen Vata dhe Besmir Hoxha. Rraja kërkohej, për tu marrë në pyetje si person që kishte dijeni për këtë ngjarje. Por pas ezaurimit të intervistimit të tij në polici, ai është lënë sërisht i lirë. Një tjetër ngjarje e rëndë, është ajo e ndodhur në ambientet e QSUT-së 2019, ku ai dhunoi brutalisht një grua. Rraja u filmua duke goditur egërsisht me shkelma dhe grushte një grua në oborrin e jashtëm të spitalit, deri sa ajo u shtri përtokë.
