Policia në Fier ka vijuar me kontrollet intensive në kuadër të operacionit kombëtar kundër kultivimit të kanabisit, i quajtur “Koordinata”.
Gjatë një aksioni në zonën e njohur si “Kodra e dafinave”, në fshatin Gjorgoz, efektivët kanë zbuluar një parcelë me 223 fidanë kanabisi. Pas hetimeve, është arrestuar një i ri 24-vjeçar, banues në Cakran, i dyshuar si autori i këtij rasti.
Fidanët janë shkatërruar menjëherë nga policia përmes djegies.
Ndërkohë, një tjetër rast është zbuluar në njësinë administrative Portëz, ku janë gjetur dhe asgjësuar 90 fidanë të tjerë kanabisi. Për këtë rast, ende nuk është identifikuar autori, por policia po vijon hetimet.
Materialet për rastet janë dërguar në Prokurori për vijimin e procedurave ligjore.
NJOFTIMI
Vijojnë kontrollet në të gjithë territorin e qarkut Fier, në kuadër të operacionit anticannabis të koduar “Koordinata”.
Goditet 1 tjetër rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike, vihet në pranga autori.
Në vijim të operacionit kombëtar të koduar “Koordinata”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, gjatë kontrollit të territorit, nga toka dhe nga ajri, duke përdorur dronë, në vendin e quajtur “Kodra e dafinave”, në fshatin Gjorgoz, kanë konstatuar një parcelë në të cilën ishin kultivuar 223 fidanë narkotikë kanabis.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier kanë organizuar punën dhe kanë vënë në pranga autorin e dyshuar të rastit, shtetasin R. M., 24 vjeç, banues në Cakran.
Fidanët u asgjësuan nëpërmjet djegies.
—
Gjithashtu, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier gjetën dhe asgjësuan 90 fidanë narkotikë cannabis sativa, në territorin e njësisë administrative Portëz.
Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorit/ve të këtij rasti kultivimi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
