Kryeinspektorja e IKMT-së, Dallëndyshe Bici, ishte mëngjesin e sotëm në Vlorë për të verifikuar kantieret e ndërtimit dhe lejet për pallate. Nga kontrollet rezultoi se një ndërtesë ishte pa leje ndërtimi, dhe Bici bëri të ditur se objekti do t’i kalojë shtetit.
Në një reagim në Facebook, kryeministri Edi Rama tha se ky do të jetë fati i të gjitha ndërtimeve me shkelje – konfiskim ose shembje, sipas rastit, me qëllim që objektet të përdoren për funksione publike.
Rama paralajmëroi gjithashtu kallëzim penal për punonjësit e bashkive që mbyllin sytë përpara shkeljeve gjatë procesit të kontrollit. Ai njoftoi se së shpejti do të miratohet edhe një reformë e re për kontrollin e territorit, e cila do të përfshijë masa më të forta dhe përgjegjësi administrative e penale për inspektorët, drejtuesit e bashkive dhe policinë që nuk zbatojnë ligjin.
“Shqipëria 2030 në BE kërkon fundin e këtyre fenomeneve, ndërsa 99% e qytetarëve që respektojnë ligjin, meritojnë hapësira publike të pacënueshme nga askush”, shkroi kryeministri.
