Në cilin qytet të Shqipërisë jetohet më mirë? Kjo pyetje ngjalli debate të shumta në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, ku të ftuarit treguan me argumente qytetin e tyre të preferuar.


Mirëpo, ajo që të gjithë ranë dakord, është se Korça ofron qetësi dhe që është promovuar më së shumti.


Armandi nga Shkodra pranoi se në dimër, Korça preferohet në masë nga shkodranët.


“Nuk ka shkodranë që nuk shkon në Korçë. Ne e duam Korçën dhe Vlorën, por ne shkodranët e bëjmë një xhiro në jug gjatë verës, nga Dhërmiu, Vlora, Saranda dhe në dimër shkojmë në Korçë”, u shpreh Armandi.


Larisa Katundi, drejtore e Marrëdhënieve me Publikun në Bashkinë e Korçës theksoi se qyteti juglindor ka shkollat më të mira në vend.


“Korça është një qytet që ka 24 orë ujë, ka shkollat më të mira, jam shumë e kënaqur për fëmijët e mia. Ka qetësi për të gjithë familjet”, tha Larisa Katundi.


I pyetur në lidhje me debatin Korça apo Shkodra qyteti më i mirë, sociologu i njohur, Zyhdi Dervishi e tha qartë: “Kryeqytet i Ballkanit duhet të jetë Shkodra, për shtrirjen apo edhe kulturën”.