Shoqata e të Verbërve: Nuk ka para, s’na kanë shpërndarë as rimbursimet e energjisë elektrike


Korçë – Dje, invalidët e Korçës kanë protestuar përpara bashkisë së qytetit, duke kërkuar miratim të fondit dhe lëvrim të parave për pagesat e tyre


Tiranë – Në Tiranë, disa njësi bashkiake kanë deklaruar se nuk kanë fonde për të paguar personat me aftësi të kufizuar dhe se pagesat e tyre kanë “ngrirë”


Shoqata – Kreu i Shoqatës së të Verbërve ka deklaruar dje se mijëra invalidë nuk janë paguar, duke nisur nga muaji shtator i vitit të kaluar


invalidi 2Dhjetëra persona me aftësi të kufizuar kanë protestuar dje para bashkisë së qytetit për pagesat e paaftësisë.


Invalidët kanë kërkuar nga drejtuesit e pushtetit vendor marrjen e masave dhe miratimin e fondit për personat me aftësi të kufizuar që kanë muaj të tërë pa marrë pagesën me të cilën mbajnë familjet, e drejtë e përcaktuar me ligj.


Invalidët kanë qëndruar para godinës së bashkisë dhe kanë kërkuar të takohen me një nga përfaqësuesit e Bashkisë së Korçës, ndërkohë që janë lidhur edhe me degët e tjera në qytetet ku nuk janë shpërndarë pagesat për të nisur procedurat për të bërë kallëzim penal në prokurorinë e rrethit.


Ministria e Financave dhe Ministria e Punës kanë deklaruar se tanimë fondi për pagesat e personave me aftësi të kufizuar është miratuar nga qeveria qendrore, por duhet të miratohet edhe në këshillat bashkiakë, që më pas të shpërndahet në llogaritë e secilit person.


Dy ditë më parë, ministri i Punës dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, deklaroi se qeveria ka miratuar fondin për të shlyer detyrimet e personave me aftësi të kufizuar, si dhe për të përballuar kategoritë e reja që ka përfshirë ligji, pas ndryshimeve të miratuara vitin e kaluar.


“Kategoritë të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike përcaktohen nga njësitë vendore. Po ashtu, edhe planifikimi për paratë që do të jepen për pagesat e tyre përcaktohet dhe parashikohet nga pushteti vendor”, ka deklaruar zyrtarisht ministri i Punës, Spiro Ksera.


Ministri Ksera ka sqaruar se të gjitha vonesat kanë ardhur si pasojë e ndryshimeve ligjore, por edhe sepse skema ka ndryshuar duke përfshirë kategori të reja. Tani, sipas tij, fondi është gati, por që të lëvrohet, duhet të mbyllen procedurat e nevojshme nga njësitë e pushtetit vendor.


Dje, ka reaguar kreu i Shoqatës së të Verbërve, Sinan Tafaj, i cili sqaroi se ndryshe nga sa deklaron ministri i Punës, disa nga njësitë vendore në kryeqytet thonë se në llogaritë e tyre nuk ka para për të bërë shlyerjen e detyrimeve.


“Personat me aftësi të kufizuar nuk kanë marrë pagesën e paaftësisë, duke nisur nga muaji shtator, në Tiranë, por edhe në të gjitha rrethet në vend. Pushteti vendor deklaron se nuk ka para në llogari për të shlyer detyrimet e invalidëve”, sqaroi kreu i Shoqatës së të Verbërve, Sinan Tafaj. Sipas tij, personat me aftësi të kufizuar po kërkojnë vetëm të drejtën që u takon me ligj, dhe për vonesa të tilla është bërë kallëzim penal, në mënyrë që përgjegjësi i këtij problemi jetik për 150 mijë invalidë të ndiqet penalisht për shpërdorim detyre.


Ndërsa faji ka kaluar herë pas here nga qeverisja qendrore tek ajo vendore, si për të larguar vëmendjen nga ngjarja, ata që vuajnë janë invalidët. Nga njëra anë, Ministria e Punës, e cila thotë se e ka çelur fondin, nga ana tjetër, komunat dhe minibashkitë, të cilat thonë se nuk kanë buxhet për t’i likuiduar ata. Të vënë përballë këtij shqetësimi, invalidët e kanë paraqitur problemin e ankesave edhe pranë anëtarëve të këshillit bashkiak të kryeqytetit.