Ankesa
Ndërtimi i një rruge pedonale në qendër të qytetit të Korçës, që është destinuar tashmë vetëm për këmbësorët dhe ka shmangur lëvizjen e mjeteve në të, ka ulur ndjeshëm aktivitetin tregtar të bizneseve përgjatë kësaj rruge. Pas një proteste paralajmëruese të disa ditëve më parë, sërish përfaqësuesit e bizneseve në këtë pedonale kanë dalë me reagimet e tyre, duke paralajmëruar se po falimentojnë. Ditën e premte, këto biznese kanë ulur qepenat e dyqaneve, dhe kanë afishuar me letra paralajmërimet e tyre për rrezikun që u vjen nga mungesa e qarkullimit të njerëzve në këtë pedonale. E rikonstruktuar vetëm si një rrugë për këmbësorë dhe shëtitje, pedonalja e qendrës së Korçës, që është në përfundim e sipër, shtrihet nga sheshi para katedrales deri te sheshi më poshtë i teatrit të qytetit, ku kanë aktivitete rreth 30 biznese. Pikërisht kjo zonë ka qenë më parë mjaft e gjallë për aktivitetin tregtar të minimarketeve, argjendarive, e lokaleve të ndryshme të shërbimit, pronarët e të cilave tani ankohen se u janë ulur ndjeshëm fitimet. Në protestën e tyre të radhës, përfaqësues të këtyre bizneseve kanë kërkuar nga bashkia që të lejojë në orare të caktuara qarkullimin e mjeteve, duke mundësuar kështu më shumë frekuentim të lokaleve dhe dyqaneve që janë vendosur përgjatë bulevardit “Shën Gjergji”, ku është ndërtuar pedonalja. Edhe vetë miratimi i këtij projekti hasi në kundërshtimet e bizneseve që preken nga funksionimi i kësaj rruge vetëm si këmbësorë, por tregtarët kanë kërkuar që bashkia t’i përmbahet një lloj marrëveshjeje për qarkullim të kufizuar me orare edhe të mjeteve, në të kundërt këto biznese do të mbyllen nga falimentimi. G.Ashimi