Ish-gjyqtari Ilir Pashaj dënohet për herë të dytë me 3 vite e 4 muaj burg dhe konfiskim pasurie. Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtor dhe ka dënuar për herë të dytë ish-gjyqtarin e Gjykatës së Elbasanit, Ilir Pashaj, me 5 vite burgim dhe 5 vite ndalim për të ushtruar funksione publike. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij është ulur me një të tretën dhe ai do të vuajë përfundimisht 3 vite e 4 muaj burg në një institucion të sigurisë së zakonshme.

Vendimi është dhënë ditën e sotme, më 5 mars, nga trupa gjykuese e përbërë nga Bib Ndreca, Paulin Çera dhe Artan Jahollari. Hetimet ndaj Pashajt kishin nisur prej vitit 2020 dhe u përfunduan vitin e kaluar nga SPAK, i cili më pas e dërgoi çështjen në gjykatë.

Ish-gjyqtari është shpallur fajtor për tre vepra penale:

Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë, për të cilën u dënua me 3 vite burg.

Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurisë dhe interesave private, për të cilën u dënua me 3 muaj burg.

Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, për të cilën u dënua me 5 vite burg.

Në aplikim të bashkimit të dënimeve, Gjykata vendosi dënimin përfundimtar prej 5 vitesh burg, i cili, pas zbritjes së një të tretës për shkak të gjykimit të shkurtuar, u konvertua në 3 vite e 4 muaj izolim.

Përveç dënimit me burg, Gjykata ka vendosur ndalimin e Pashajt nga çdo funksion publik për një periudhë 5-vjeçare, e cila do të fillojë pas vuajtjes së dënimit me burg.

Gjithashtu, në vendim është përfshirë konfiskimi dhe kalimi në favor të shtetit i një apartamenti dhe i një automjeti të markës Mercedes Benz, Model E200CDI, të cilat ishin sekuestruar nga SPAK gjatë hetimeve.