Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar dënimin me 10 vite burg për ish-kreun e ARRSH, Ervis Berberi, për një sërë akuzash që përfshijnë shpërdorimin e detyrës, korrupsionin pasiv, shkeljen e barazisë në tendera dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.

Sipas raportimit të gazetares Anila Hoxha për Top Channel, për shkak të gjykimit të shkurtuar, Berberit pritet t’i ulet një e treta e dënimit.

Përveç dënimit me burg, SPAK ka kërkuar edhe ndalimin e tij nga ushtrimi i funksioneve publike për një periudhë 5-vjeçare.

Gjithashtu, organi i akuzës ka kërkuar konfiskimin e shumave të parave të sekuestruara, konkretisht 15 mijë euro, 35 mijë paund dhe 1 milion lekë të rinj.