Në një takim me studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, kreu i SPAK, Altin Dumani, theksoi se lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm përgjegjësi e SPAK-ut, por duhet të përfshijë të gjitha institucionet dhe vetë shoqërinë.

Gjatë takimit, Dumani pranoi se gjatë periudhës së drejtimeve të SPAK, janë hasur shumë sfida dhe problematika, përfshirë mungesën e burimeve dhe vështirësitë në përballimin e disa çështjeve komplekse. Megjithatë, ai theksoi se bilanci i punës është i prekshëm dhe i matshëm, dhe se SPAK ka bërë hapa të mëdhenj përpara në drejtimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Dumani nënvizoi se SPAK ka ngritur akuza ndaj disa personave me peshë të rëndësishme politike, duke përfshirë kryetarë bashkish, deputetë dhe madje ministra. Ai theksoi se kjo është një dëshmi e përkushtimit të SPAK për të pastruar institucionet dhe për të çuar përpara hetimet ndaj personave të fuqishëm politikë që mund të jenë të përfshirë në aktivitete të paligjshme.

“Korrupsioni është një plagë që prek të gjitha institucionet. Do ta filloja nga Prokuroria. Fatkeqësisht na është dashur t’i vëmë përpara përgjegjësisë edhe kolegët tanë, madje mund të kemi pasur edhe marrëdhënie shoqërore.

Por kemi zbatuar detyrën. Për të ardhur edhe te policia. Në kaq vite SPAK, numri i policëve të hetuar për korrupsion dhe vepra të tjera penale është mbi 70. Në këto vite, numri i policëve të hetuar për korrupsion apo vepra të tjera penale është mbi 70. Fatkeqësisht, në hetimet tona kemi konstatuar funksionarë të lartë policie, që madje janë deklaruar edhe fajtorë, si pjesë të organizatave kriminale apo grupeve të strukturuara kriminale.

Nuk janë vetëm nga policia, por edhe nga gjyqësori. Një kemi një çështje kur një gjyqtari i është atribuuar edhe vepra penale si pjesëmarrje në organizatë kriminale.”, u shpreh Dumani.