Të gjitha partitë i bien daulles së antikorrupsionit në ish-Republikën Sovjetike
Si një ukrainase, Viktoria e kapi menjëherë nënkuptimin e asaj që i tha mjeku në një spital të Kievit, ku 22-vjeçarja ishte shtruar për një problem urgjent. Bëhej fjalë për apandesit dhe rrjedhimisht për ndërhyrje kirurgjikale. Mjeku i tha: “Ti e di, ne doktorët dhe spitali nuk jemi shumë mirë ekonomikisht. Jam i sigurt se ti dëshiron që operacioni të shkojë mirë.”
Viktoria e kuptoi: megjithëse kujdesi mjekësor në spitalet publike është teorikisht falas, ajo duhet të paguajë për t’u siguruar se do të ketë përkujdesin e nevojshëm. I pagoi 100 dollarë anestezistit. “Operacioni u krye gjatë natës. Mëngjesin tjetër ai (doktori) vinte vazhdimisht në pavijon duke kërkuar paratë që patëm rënë dakord për operacionin. Në fund mori 200 dollarë”, thotë ajo.
Korrupsioni gjendet gjithkund në Ukrainë: ai mbizotëron te policia, gjykatat, spitalet, në parlament dhe në korridoret e pushtetit, në arsim e kujdes social, planifikim urban e leje ndërtimi. Me 100 krivna (12 dollarë) pagesë nën dorë i shpëton gjobës së një polici në autostradë. Por kushton dhjetë herë më shumë në rast se dëshiron një vend në shkollën e parapëlqyer për fëmijën tënd.
“Të kushton para edhe për të vdekur”, thotë Vitaly Klitschko, kampioni botëror i boksit, i cili po garon në zgjedhje me një platformë kundër korrupsionit. “Tani të duhet të paguash për të gjetur një vend në varrezë”, i tha ai turmës në një miting.
Ajo që Viktoria pagoi është relativisht lirë. Shkalla e ryshfetit rritet në qindra mijëra dollarë kur vjen puna për të siguruar një licencë biznesi apo për marrjen e një leje ndërtimi, thonë shoqatat e biznesit të huaj.
Lufta kundër korrupsionit është një daulle që çdo parti po i bie në prag të zgjedhjeve që do të zhvillohen më 28 tetor, kur Partia sunduese e Rajoneve po lufton për të mbajtur pushtetin përballë një opozite të ndarë. Por cilido qoftë rezultati në ish-Republikën Sovjetike, shumë pak njerëz besojnë se kanceri i korrupsionit, i cili shkatërron të ardhurat personale, vret shpirtin sipërmarrës dhe ndalon investitorët seriozë, do të mund të eliminohet.