Gjykata e Posaçme ka vendosur të hetojë veçmas çështjen e ish-kryeprokurorit të Vlorës, Aurel Zarka, në lidhje me dosjen “Toyota Yaris. Po ashtu, mësohet se GJKKO ka pranuar kërkesën e SPAK, për kalimin në gjykim.
Zarka akuzohet për korrupsion dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm, pas daljes së emrit të tij nga hetimet e zbërthimeve të aplikacionit “Sky Ecc”. Ndërkohë, çështja e tre personave të tjerë, mes të cilëve ish-oficerja e BKH-së Erjona Dautaj, avokati Radovan Çela dhe Astrit Vladi, është pezulluar për shkak se ata ende nuk janë kapur dhe janë në kërkim.
SPAK pretendon se të dyshuarit kanë marrë dhe dhënë ryshfet për të ndikuar në disa çështje penale, duke përfshirë dosjen “Toyota Yaris”.
Zarka u arrestua më 29 korrik 2024, pas kërkesës së SPAK dhe urdhrit nga Gjykata e Posaçme. Zbulimet janë bërë përmes komunikimeve në platformat “Sky ECC” dhe Enchro chat, ku Zarka rezulton të ketë pasur katër llogari dhe ka komunikuar me Dautajn, e cila gjithashtu përdorte llogaritë e saj. Një nga çështjet ku Zarka ka ndikuar është edhe hetimi pasuror ndaj Suel Çelës, i cili ka nisur pas operacionit “Forca e Ligjit”, ku kryeprokurori i Vlorës ka tentuar të ndikojë te prokurorët e SPAK.




