Korçë, në hetim Gjergji Capollari, Lenci Konomi dhe Rezarta Hoxhallari


Gëzim Ashimi


Tre pedagogë të Universitetit “Fan. S. Noli” të Korçës dhe të paktën tre persona të tjerë janë marrë në hetim në gjendje të lirë nga prokuroria e këtij rrethi për raste të dyshuara të marrjes së ryshfeteve në këmbim të dhënies së provimeve studentëve. Burime të besueshme zyrtare, si nga organi i akuzës, por edhe policia rajonale e Korçës, konfirmuan se janë në hetim pedagogët Gjergji Capollari, Lenci Konomi dhe Rezarta Hoxhallari, si të dyshuar për shpërdorim detyre dhe mitëmarrje ndaj studentëve. Hetimi ka përfshirë edhe persona të tjerë që mendohet se kanë qenë në rolin e sekserëve midis pedagogëve dhe studentëve të interesuar për marrjen e provimeve.


Sipas të dhënave, janë katër persona që do të ndiqen penalisht me akuzat paraprake të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm mbi persona që ushtrojnë funksione shtetërore dhe të mitëmarrjes. Hetimet e kryera nga Policia e Korçës dhe prokuroria, mësohet se janë drejt mbylljes dhe pritet që dosja do t’i kalojë Gjykatës së Faktit për të zhvilluar atje hetimin gjyqësor. Rasti i tre pedagogëve të Universitetit të Korçës si dhe i disa personave të tjerë në rolin e sekserëve, mësohet se ka filluar si hetim nga policia në muajin shtator të këtij viti. Ka të dhëna se kanë qenë së paku dy studentë, të cilët kanë ofruar para në vlerë deri 150 mijë lekë të vjetra për të marrë provimet me pedagogët e tyre përkatës, duke kontaktuar me persona të ndërmjetëm. Duke mos arritur të sigurojnë nota kaluese në provimet e vjeshtës, studentët që kanë dhënë këto para kanë shfaqur ankesat e tyre, që u bënë edhe objekt i hetimeve të policisë rajonale. Mbi bazën e dëshmive paraprake është siguruar e drejta për të përgjuar personat e dyshuar si të përfshirë në këtë aferë korruptive. Policia i ka dërguar organit të akuzës materiale të përgjimit të telefonave, por edhe foto apo pamje filmike, që sipas grupit hetimor, komprometojnë në shpërdorim detyre dhe korrupsion si pedagogët, edhe ndërmjetësit e tyre.


Pas hetimeve që zgjatën nga muaji shtator e këtej, policia ka dërguar për ndjekje penale në gjendje të lirë personat e dyshuar. Organi i akuzës ka thirrur si pedagogët e dyshuar për mitëmarrje, por edhe personat që dyshohet se kanë bërë rolin e sekserit, duke iu bërë të ditur edhe akuzat që rëndojnë mbi ta. Mësohet se hetimet e prokurorisë janë në mbyllje e sipër dhe tashmë dosja pritet t’i kalojë gjykatës. Ky nuk është rasti i parë që pedagogë të Universitetit të Korçës dërgohen për ndjekje penale si të dyshuar për mitëmarrje nga studentët, pasi disa muaj më parë ishte një pedagoge e Fakultetit të Infermierisë që u vu në hetim nga antikrimi ekonomik i Drejtorisë së Policisë në Korçë, por sipas vendimit të organeve të drejtësisë, nuk kishte prova që ajo kishte abuzuar me detyrën dhe funksionin e saj.