Ministria e Punëve të Jashtme e Kroacisë ka reaguar pas vendimit të shkallës së parë të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përmes një reagimi në rrjetin social X, autoritetet kroate theksuan se nuk duan të paragjykojnë përfundimin e procesit gjyqësor, duke nënvizuar se vendimi nuk ndryshon, sipas tyre, kontekstin historik të luftës në Kosovë.

“Kjo nuk e ndryshon kontekstin historik të luftës në Kosovë apo faktin se Kosova dhe popullsia e saj ishin viktima të represionit dhe krimeve të rënda nga regjimi i Millosheviqit”, thuhet në reagimin e MPJ-së kroate.

Ministria shtoi se përgjegjësia individuale e një personi nuk duhet të përdoret për të relativizuar krimet e kryera gjatë luftës apo për të vënë në pikëpyetje procesin që çoi në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Kroacia theksoi gjithashtu se qëndrimi i saj nuk synon të paragjykojë ecurinë e mëtejshme të procesit gjyqësor.