Prishtina është zgjuar këtë të mërkurë me vëmendjen të përqendruar qindra kilometra larg, në Hagë, ku pritet shpallja e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Atmosfera e pritjes është zhvendosur edhe në zemër të kryeqytetit të Kosovës. Në sheshin “Skënderbeu” janë vendosur katër portrete të mëdha të ish-drejtuesve të UÇK-së, ndërsa hapësira mes tyre është rezervuar për një ekran gjigant.

Përmes tij, qytetarët e mbledhur në shesh do të kenë mundësi të ndjekin drejtpërdrejt zhvillimet nga salla e gjyqit në Hagë.

Pamjet nga Prishtina tregojnë qytetarë të grumbulluar në pritje të nisjes së seancës, të planifikuar për në orën 10:00. Tubime dhe organizime në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së janë zhvilluar edhe në vende të tjera.

Për shkak të grumbullimit të qytetarëve dhe interesit të lartë për vendimin, autoritetet policore kanë shtuar praninë dhe kanë ndërmarrë masa për mbarëvajtjen e tubimit dhe shmangien e incidenteve.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi presin sot aktgjykimin e shkallës së parë pas procesit të gjatë të zhvilluar pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ndërsa vendimi do të lexohet në sallën e gjyqit, në Prishtinë gjithçka është përgatitur që momenti të ndiqet në kohë reale, në një shesh të dominuar nga portretet e katër ish-drejtuesve të UÇK-së.