Kostot me të cilat përballen bizneset për të prodhuar mallra në Shqipëri duket se janë stabilizuar në fund të vitit të kaluar, duke sinjalizuar se presioni për rritje të mëtejshme të çmimeve për konsumatorët mbetet i ulët.

Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se Indeksi i Çmimeve të Prodhimit në tremujorin e katërt të vitit 2025 u rrit me vetëm 0.2 %. Ky tregues mat kostot që bizneset kanë përpara se produktet të dalin në treg dhe konsiderohet si një sinjal i hershëm për ecurinë e çmimeve për konsumatorët.

Megjithatë, jo të gjithë sektorët kanë pasur të njëjtën ecuri. Rritja më e dukshme e kostove është shënuar në industrinë përpunuese me 0.5 %. Brenda këtij sektori, prodhimi i mobilieve ka regjistruar rritjen më të madhe të kostove me rreth 1.5 %, ndërsa përpunimi i produkteve farmaceutike me 1.4 %.

Në të njëjtën kohë, një tjetër faktor që ndikon në çmimet në vend është edhe kostoja e mallrave që vijnë nga jashtë. Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e katërt të vitit 2025, çmimet e importit kanë shënuar një rënie vjetore prej 0.5 për qind, çka nxjerrë në pah një tregues të rëndësishëm favorizues për importuesit të cilët duhet ta kishin Përkthyer dhe në çmime finale më të ulëta për konsumatorët.

Rënia më e madhe është regjistruar në sektorin e energjisë elektrike, gazit dhe avullit me rreth 4.1 %. Ndërsa edhe në industrinë përpunuese, që përbën peshën më të madhe të importeve, rënia më e madhe e kostove është vërejtur te përpunimi i produkteve ushqimore me 1.7 për %.

Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se kombinimi i rritjes së ulët të kostove të prodhimit dhe uljes së çmimeve të importit mund të ndihmojë në stabilizimin e inflacionit dhe të çmimeve në tregun vendas.