
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të rrisë nga 90 në 92 Zonat e Administrimit Zgjedhor. Në mbledhjen e së hënës, KQZ do të shqyrtojë ndarjen e re të zonave zgjedhore, mbi bazën të cilit parashikohet edhe ngritja e Komisioneve të ZOnave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ).
Në projektvendimin e siguruar nga Gazeta Shqip, jepen edhe arsyet se pse bëhet një shtim i nurmit të ZAZ-ve.
“Për sa më sipër, nga verifikimi i të dhënave, në shkresën e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes
Civile për numrin e shtetasve me të drejtë vote me datë reference 15 maj 2021 dhe kritereve për
ngritjen e ZAZ-ve rezulton se lind nevoja për ndryshimin e Zonave të Administrimit Zgjedhor,
pasi numri i shtetasve me të drejtë vote në ZAZ nr. 58 të Bashkisë Fier si dhe në ZAZ nr. 64 të
Bashkisë Berat e kalon kufirin e e përcaktuar nga Kodi Zgjedhor”, thuhet në projektvendimin e siguruar nga Gazeta “Shqip”.
“Duke aplikuar saktësisht dhe plotësisht kriteret për ngritjen e ZAZ-ve sipas paragrafeve 2, 3 dhe
4 të nenit 27 të Kodit Zgjedhor dhe në të dhënat e dërguara nga Drejtoria e Përgjithshme e
Gjendjes Civile për numrin e zgjedhësve, propozojmë se nga 90 ZAZ që kanë qënë në zgjedhjet
e mëparshme, të bëhen 92 ZAZ. Kjo ndarje siguron një administrim më efikas të procesit
zgjedhor nga niveli i dytë i administratës zgjedhore dhe mbi të gjitha, një numërim më të shpejtë
e transparent”, është argumenti i KQZ-së së re.
Por Instituti i Studimeve Politike në lidhje me këtë ndarje të re KQZ-së, ka reaguar duke e cilësuar si të disbalancuar. Sipas këtij Instituti, në zgjedhjet 2021 (nëse nuk ndryshojnë mandatet në Dibër -1, Gjirokastër -1 dhe Tiranë +2) mandatet parlamentare mbeten të njëjta, 140. Pra edhe në Kuvendin e ri do të ketë 140 deputetë.
“KQZ ka programuar sipas ligjit 92 KZAZ (zona reale të administrimit zgjedhor). Kjo është një praktikë standard që aplikohet në cdo zgjedhje. Megjithatë, të dhënat teknike tregojnë se vijon të ruhet disbalancë në raportin midis KZAZ-ve (zonave reale zgjedhore) dhe mandateve parlamentare. Qytetet e mëdha kanë KZAZ të përqendruara, ndërkohë që qarqe të ndryshme reflektojnë ndarjen e re administrative të vitit 2014 (sipas bashkive). Për rrjedhojë, vetëm qarku Gjirokastër ka më shumë (+2) KZAZ sesa mandate parlamentare, ndërkohë që qarqet e tjera (me përjashtim të Kukësit) kanë raport të ndryshëm, (- ). Qarku Kukës ka 3 KZAZ dhe 3 mandate parlamentare”, thuhet në reagimin e ISP-së.
Në gjuhën teknike, sipas ISP-së, 1 ose më shumë KZAZ më shumë d.m.th mundësi më e madhe për administrimin e shpejtë të procesit zgjedhor, por edhe financim më të madh nga buxheti shtetëror, personal më të madh të angazhuar, komisionerë më të shumtë nga partitë por që paguhen nga taksat qytetare, etj, elementë teknikë, financiare dhe administrativë.
“Së fundi, sipas KQZ Tirana ka 11 njësi bashkiake, ndërkohë që zyrtarisht (sipas faqes së internetit të bashkisë), ka 14 njësi vendore/lagje në qytet, pra 3 më shumë sesa numri i dhënë nga KQZ, një tregues se institucionet shtetërore duhet të jenë më serioze në njësimin e emërtimeve dhe strukturës së vet administrative”, thuhet në një njoftimin e ISP-së./ Gazeta Shqip