Barush Bregu alias (Bajram Bregu), është shpallur në kërkim ditën e sotme, pasi dyshohet si bashkëpunëtor i Ragip Gilës, që kreu masakrën e Shkodrës.

Bregu është një emër i njohur për policinë, e po ashtu, cilësohet si krahu i djathtë i Licajve. Në 2016, Bregu është dënuar me 4 vite burg për kultivim të bimëve narkotike, kryer në bashkëpunim si dhe armëmbajtje pa leje. Në vitin 2018, policia gjatë një operacioni në banesë i gjeti një automatik kallashnikov. Barush ose Bajram Bregu gjatë ndjekjes nga policia e Shkodrës arriti që t’i shpëtojë ndërsa përplasi me mjetin e tij dy patrulla të policisë duke iu shpëtuar ndjekjes.

Ndërkohë, një vit më pas, në 2019, pasi ishte shpallur në kërkim, u arrestua në Tiranë në banesë me qira tek “Komuna e Parisit”. Barush Bregu dyshohet nga policia e Shkodrës edhe për një sërë ngjarjesh të tjera kriminale së bashku me Ibrahim Liçin.

Policia dyshon se Barush Bregu ka ndihmuar shokun e tij Ibrahimin në vrasjen e dyfishtë të vëllezërve Bilali por edhe në ngjarje të tjera kriminale. Barush Bregu dyshohet edhe si personi që ka ndihmuar Ibrahim Liçin në çdo lëvizje të këtij të fundit.

Ndërkohë, sa i përket atentatit të djehsmë, në kërkim është dhe një 17-vjeçar i cili akuzohet se bashkë me Bregun, kanë siguruar armët, mjetet dhe pajisjet e tjera për kryerjen e atentatit në Shkodër, ku humbën jetën Armando Pali dhe 31-vjeçarit Liridon Kraja, ndërsa u plagosën Erogen Vaso si edhe kamarieria Meri Kaceri, e cila ndodhej rastësisht në vendin e gabuar.