Përfituesit marrin 50 milionë lekë, mosha nga 23-35 vjeç


bashaÇdo qytetar i Tiranës, nga mosha 23 deri në 35 vjeç, që kërkon të hapë apo zgjerojë biznesin e tij, mund të përfitojë nga Fondi i Garancive vënë në dispozicion për herë të parë nga Bashkia e Tiranës për të marrë një kredi.


Pas një gare mes bankave të nivelit të dytë që operojnë në qytetin e Tiranës, bashkia ka përzgjedhur Bankën Kombëtare Tregtare, për hapjen e fondit të garancive, për mundësitë e reja për kreditim, për qytetarët e rinj të Tiranës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka nënshkruar marrëveshjen me drejtorin e BKT-së, Seyhan Pencabligil. Fondi i Garancive është një tjetër iniciativë e kryebashkiakut Basha, për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe punësimin në qytetin e Tiranës.


Këto kredi, nëpërmjet garancisë së Bashkisë së Tiranës, garanci që ka një vlerë prej afro 1 milion dollarësh, jepen me interes pothuajse dy deri tre herë më të ulët se norma në treg. Pra, në qoftë se në treg, kreditë në rastin e financimit të bizneseve të vogla apo të mesme, ekzistuese apo të reja variojnë nga 11 deri 15%, sipas kësaj marrëveshje, ata që do të përfitojnë, qytetarët nga mosha 23 deri 35 vjeç, banorë të qytetit të Tiranës, do të paguajnë një normë interesi 5 deri në 5.5%, kjo në varësi të faktorëve të riskut të biznesit që propozojnë të hapin apo që kanë të hapur dhe do të konsolidojnë.


“Ne po hedhim një hap të parë, por shumë të rëndësishëm për të faktuar se edhe pushteti vendor nëse ka vullnet, ka mjete dhe mundësi për të ndihmuar në gjallërimin dhe forcimin e klimës pozitive të biznesit në Tiranë, ka mundësi të ndihmojë drejtpërdrejt në gjenerimin e bizneseve të reja që do të thotë vende të reja pune, që do të thotë mirëqenie e shtuar në qytet, që do të thotë më shumë shanse për të rinjtë e kryeqytetit”, tha kryebashkiaku Basha. Përfitues të Fondit të Garancive do të jenë biznese të vogla dhe të mesme, të cilat konsiderohen dhe si gjeneratorë të punësimit në Bashkinë e Tiranës. Prioritet do të përfitojnë bizneset e regjistruara në Bashkinë e Tiranës, 100 për qind sipërmarrës shqiptarë, biznese me sipërmarrëse femra, me sipërmarrës të rinj, projekte të teknologjisë dhe informacionit dhe me mundësi krijimi punësimi, përveç vetëpunësimit.


“Bëhet fjalë për kredi deri në masën 50 milionë lekë të vjetra, 5 milionë lekë të reja. Bëhet fjalë për disa kategori biznesesh, që përfshijnë tregtinë me pakicë e shumicë të materialeve e produkteve të ndryshme, përfshirë profesionet e ndryshme, marangoz, rrobaqepës, këpucar, etj. Profesione si avokat, jurist, dentist, mjek, kontabilist, ekspert, dyqane veshmbathje, këpucësh, bar, restorant, internet-kafe, kënde lojërash, biznese që operojnë në fushën e teknologjisë, informacionit, sipërmarrje artizanale, punime me dorë, dyqane lulesh, zbukurimesh, fusha sportive, njësi tregtare të shumëllojshme, njësi prodhimi të vogla. Me prioritet, bizneset e regjistruara në Bashkinë e Tiranës, 100 për qind sipërmarrës shqiptarë, biznese me sipërmarrëse femra, me sipërmarrës të rinj, projekte të teknologjisë dhe informacionit, dhe me mundësi krijimi punësimi, përveç vetëpunësimit”, sqaroi Basha.


“Ndër gjithë këto biznese, ato ndër të cilat kanë shumë më tepër rëndësi janë bizneset ‘start-up’, të cilat kanë nevojë të madhe për mbështetje. Dhe siç u tha, ky program do të bëjë jo vetëm këtë mundësi financimi por me kushte shumë të mira, me kushte shumë preferenciale të interesit, që do të thotë që nuk po shikojmë përfitueshmërinë, por po shikojmë edhe në nivelin e përfitueshmërisë sociale, duke qenë që jemi një ndër bankat që kemi marrë pjesë në programet e ndryshme garancie. Edhe në këtë program premtojmë se do të kemi një histori tjetër suksesi dhe do të bëjmë ç’është e mundur që këto para, në fund të fundit kjo garanci të mos preket, duke mbështetur fuqishëm zhvillimin ekonomik të qytetit të Tiranës”, tha drejtori i BKT, Pencabligil.


 


Përfituesit


 


Mosha 23 deri në 35 vjeç


 


Të rinj që kërkojnë të


hapin apo zgjerojë biznesin


 


Banorë të qytetit të Tiranës


 


Do të paguajnë një normë interesi 5 deri në 5.5%


 


Bizneset e regjistruara në Bashkinë e Tiranës


 


Ata që janë 100 për qind sipërmarrës shqiptarë


 


Biznese me sipërmarrëse femra


 


Disa kategori biznesesh, që përfshijnë tregtinë me pakicë e shumicë


 


Biznese që operojnë në fushën e teknologjisë e


informacionit


 


Sipërmarrje artizanale


 


Njësi prodhimi të vogla