Sot, gjithnjë e më shumë qytetarë po hasin vështirësi në shlyerjen e kësteve të kredive. Rritja e çmimeve, kostot e jetesës dhe interesat më të larta të kredive po ndikojnë drejtpërdrejt në buxhetet familjare.

Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se raporti i kredive me probleme ka njohur një rritje të lehtë 3.85%, nga 3.8% që kishte qenë për shkurtin duke sinjalizuar presionin financiar që po ndjejnë familjet shqiptare. Në vlerë absolute, kreditë me probleme kanë arritur vlerën e 36.9 miliardë lekëve, në rritje me 6% krahasuar me një vit më parë.

Për të mbajtur nën kontroll këtë tregues, Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar më herët për nevojën e kujdesit në dhënien e kredive, sidomos për blerjen e banesave. Për këtë qëllim që prej korrikut 2025 u aplikuan disa masa kufizuese.

Totali i kredisë për ekonominë në fund të marsit arriti në 958.5 miliardë lekë, me një zgjerim të mëtejshëm prej 11.7 miliardë lekësh krahasuar me shkurtin. Kredia është në rritje vjetore me 10.6% më shumë krahasuar me marsin e vitit të kaluar.Qytetarët tregojnë se shpesh një pagë nuk mjafton më për të përballuar njëkohësisht këstin e kredisë, qiranë, faturat dhe shpenzimet bazë. Në disa raste, familjet janë detyruar të reduktojnë shpenzimet mujore ose të marrin hua të tjera për të mbuluar pagesat ekzistuese.

Ekspertët financiarë sugjerojnë që qytetarët të shmangin mbingarkimin me kredi dhe të planifikojnë me kujdes financat personale, ndërsa bankat pritet të tregojnë më shumë kujdes në vlerësimin e aftësisë paguese të klientëve. Ndërsa kreditimi vijon të rritet, mbetet për t’u parë nëse edhe kreditë me probleme do të vazhdojnë të shtohen në muajt në vijim në një periudhë ku buxhetet familjare ndikohen nga çmimet e larta si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme./ Top Channel