Protestat kundër projektit turistik në Zvërnec kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. BBC i ka kushtuar një artikull të veçantë tubimeve që po zhvillohen në Tiranë, duke i cilësuar si të ndryshme nga protestat e zakonshme politike që organizohen në Shqipëri.
Sipas medias britanike, zemërimi i protestuesve është përqendruar te projekti i propozuar nga investitorë të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, për zhvillimin e zonës së Sazanit dhe Zvërnecit.
BBC thekson se simboli i protestës është bërë flamingoja rozë, një referencë ndaj shqetësimeve të aktivistëve për ndikimin që projekti mund të ketë mbi ekosistemin e zonës së mbrojtur të Vjosë-Nartës dhe speciet e rralla që jetojnë aty.
Artikulli vë në dukje se protestuesit kundërshtojnë jo vetëm ndikimin e mundshëm mjedisor të projektit, por edhe atë që e konsiderojnë mungesë transparence në procesin e negociatave dhe dhënies së tokës për zhvillim.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka mbrojtur investimin, duke argumentuar se ai do të sjellë miliarda euro investime, vende pune dhe zhvillim ekonomik për vendin. Ai ka akuzuar gjithashtu kundërshtarët e projektit se po përhapin informacione të pasakta dhe se Shqipëria po përballet me një fushatë kundër suksesit të saj në turizëm.
Ndërkohë, përfaqësuesit e kompanisë së lidhur me Kushner kanë deklaruar se projekti do të realizohet duke respektuar standardet mjedisore dhe duke garantuar mbrojtjen e natyrës.
Sipas BBC, nëse kundërshtimet vazhdojnë, flamingoja rozë mund të mbetet për një kohë të gjatë simboli i rezistencës ndaj projektit që ka ndezur debatin më të madh publik në Shqipëri gjatë javëve të fundit.
