Festat
Titullarët e DAR: Të vendosim së bashku për fatin e fëmijëve
Kjo është aplikuar nga Drejtoria Arsimore në Fier, por mësohet se janë urdhëruar të gjitha rrethet
Edmond Hoxhaj
Dhjetëra mijëra prindër të Qarkut të Fierit këtë fundvit do të kenë një urim special edhe nga titullari i ri i Drejtorisë Arsimore Rajonale Fier, ku veç urimeve të rastit u bëhet e ditur se tashmë do të jenë pjesë e vendimmarrjes së fatit të mësimdhënies së fëmijëve të tyre. Një risi që mësohet se është aplikuar edhe nga drejtoritë e tjera arsimore rajonale, me qëllim krijimin e urave më të ngushta të bashkëpunimit mes institucioneve arsimore dhe komunitetit të prindërve. Ndryshe nga sa është bërë më parë, kur mesazhe urimi kanë marrë vetëm prindërit e nxënësve më të mirë, këtë vit kartolinat u janë dërguar prindërve të të gjithë nxënësve. Ndërkohë, pritet reagimi i prindërve kundrejt kësaj thirrjeje për bashkëpunim në favor të fëmijëve të tyre.
Kartolina
Mësohet se mijëra kartolina u janë shpërndarë drejtorive të shkollave, të cilat jua kanë kaluar mësuesve për t’i plotësuar. Ndërsa korrierët e këtyre kartolinave do të jenë nxënësit, të cilët do t’ua japin prindërve të tyre urimin që drejtuesit e zyrave arsimore u kanë rezervuar për këtë fundvit. Veç urimeve për festën e Vitit të Ri 2014, prindërve u bëhet ftesë për një bashkëpunim më të ngushtë me qëllim që gjithçka të jetë më transparente për të në të ardhmen. “Dëshiroj që së bashku të punojmë, që shkolla të kthehet në një vend, ku nxënësit të ndihen mirë dhe të zhvillojnë pozitivisht personalitetin intelektual dhe njerëzor. Ju jeni faktor i rëndësishëm për të siguruar suksesin e shkollës dhe të ardhmen e fëmijëve. Prindërit do të kenë përfaqësuesit e tyre në komisionin për përzgjedhjen e drejtuesve dhe mësuesve të shkollës. Me qëllim që të kontribuojnë të gjithë për të ardhmen e fëmijëve, do t’ju kërkoja mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj, duke qëndruar gjithmonë afër shkollës për të ndihmuar nxënësit, për të mbështetur mësuesit dhe për ta parë shkollën si institucion ku zhvillohet SHPIRTI I KOMBIT”, thuhet në kartolinën që DAR Fier u ka nisur mijëra prindërve.
Reformat
Pritet që në muajt në vazhdim të ketë reforma radikale në mënyrën e rekrutimit të burimeve njerëzore që do të shërbejnë në arsimin parauniversitar. Drejtuesit e shkollave do të zgjidhen nëpërmjet konkurseve që do të komisionohen jo vetëm nga DAR, por edhe nga drejtues të njësive vendore, nga vetë mësuesit dhe më e rëndësishmja nga përfaqësues të komunitetit të prindërve, duke u dhënë kështu këtyre të fundit mundësi për të vendosur në zgjedhjen e mësuesve që do të mësojnë fëmijët e tyre. Gjithashtu, drejtorët e shkollave do të luajnë edhe rolin e administratorit. Kjo, pasi reformat kanë si qëllim krijimin e një autonomie të shkollave dhe një transparence më të madhe të aktivitetit që ushtrohet aty.
Gjatë viteve të fundit, sistemi arsimor në Shqipëri, veçanërisht ai parauniversitar shënoi hapa prapa, ku si pasojë e keqmenaxhimit humbi qëllimin e tij. Përzgjedhja e mësuesve ishte e varur vetëm nga titullarët e DAR, të cilët shpeshherë nuk u përmbaheshin kritereve. Ndërkohë, titullarët e këtyre drejtorive gjatë viteve të fundit janë përfolur edhe për afera korruptive. Gati në të gjitha qarqet e Shqipërisë punësimi si mësues kryhej kundrejt pagesave që arritën vitin e kaluar deri në gjashtë mijë euro. Edhe pse mësuesit e punësuar kundrejt pagesës nuk i denoncuan publikisht këto raste, inspektimet e kryera nga MASH gjatë dy muajve të fundit kanë konstatuar abuzime nga më të ndryshmet. Kështu, janë vërejtur punësime të kryera jashtë kritereve dhe më shumë nga numri i lejuar, duke sjellë për pasojë mospagesën e qindra mësuesve.
Përshkrimi
Në kartolinë, veç mesazhit të urimit për Vitin e Ri 2014, prindërve u është bërë me dije se komuniteti i prindërve do të ketë përfaqësues në komisionet e përzgjedhjes së drejtorëve të shkollave dhe mësuesve