Malaj: Ka konflikt interesi
Një ditë para mbledhjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku do të votohet për kreun e ri të Apelit, kryetari aktual Alaudin Malaj kërkon përjashtimin e gjyqtarit Gjin Gjoni nga procesi i votimit. Malaj i ka dërguar një kërkesë zyrtare ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, në të cilën thotë se Gjin Gjoni duhet të përjashtohet nga votimi, pasi është në konflikt interesi me të. Në kërkesën e Malajt thuhet se “në lidhje me procesin e vlerësimit të kandidaturës sime për kryetar të Gjykatës së Apelit të Tiranës, çmoj se pozicioni i z. Gjin Gjoni në detyrën e anëtarit të KLD-së, është në konflikt të hapur interesi. Kjo për arsye se, tashmë është bërë publik fakti që zoti Gjoni ka depozituar kallëzim penal ndaj personit tim, më datë 17 prill 2014, regjistruar në Prokurorinë e Përgjithshme me nr. 1264 Prot. Kjo çështje, pavarësisht se është pushuar nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Tiranës me vendim datë 24.04.2014, përbën një fakt serioz i cili ndikon në këtë vendimmarrje të veçantë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke minuar paanësinë dhe transparencën e kësaj vendimmarrjeje”. Malaj thotë se pjesëmarrja e Gjin Gjonit në votim do të paragjykojë objektivitetin e vlerësimit në përzgjedhjen e kryetarit të Apelit të Tiranës, pasi ai gjendet në kushtet e pengesës së ligjit dhe konfliktit të interesit.