Janë përuruar këtë të hënë ambientet e reja të Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në një ceremoni ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve të drejtësisë dhe partnerë ndërkombëtarë.

Gjatë fjalës së tij, drejtuesi i GJKKO-së, Erion Bani, e cilësoi inaugurimin si një moment simbolik për sistemin e drejtësisë, duke theksuar se data e zgjedhur lidhet me “ditën e drejtësisë”.

Sipas Banit, godina e re është realizuar me mbështetjen e Bashkimi Evropian dhe synon të përmirësojë standardet profesionale dhe kushtet e funksionimit të gjykatës.

“Drejtësia është, para së gjithash, një shërbim për qytetarin. Gjykata nuk ekziston për veten e saj, por për qytetarin dhe për besimin publik”, deklaroi ai gjatë ceremonisë.

Kreu i GJKKO-së nënvizoi gjithashtu rëndësinë e infrastrukturës në funksionimin e institucioneve të drejtësisë, duke shtuar se ambienti ku jepet drejtësia ndikon edhe në perceptimin dhe besimin e qytetarëve ndaj sistemit.

Ai tha se modeli i ri është frymëzuar edhe nga eksperiencat e gjykatave në SHBA, ndërsa investimin e cilësoi si një nevojë të domosdoshme institucionale.

“Ky transformim nuk është luks, por përgjegjësi ndaj qytetarit”, u shpreh Bani.