Në seancën e sotme plenare, ka pasur diskutime të ashpra mes deputetit socialist Erion Braçe dhe kreut të Partisë “Mundësia” Agron Shehaj.
Ndërsa Braçe mbante fjalën e tij në Foltoren e Kuvendit, Shehaj ka ndërhyrë disa herë duke hedhur akuza dhe kritika kundër korrupsionit të mazhorancës.
Ndërkohë Braçe, u kthye ashpër, pasi Shehaj iu drejtuar ‘je një hajdut i vogël’.
“Po thoja që këtij Kuvendi nuk i kanë munguar kurrë njerëzit e turpshëm. Janë njerëz që kanë lindur këtu dhe për të vdekur vdesin jashtë këtij Atdheu. Ka njerëz që kanë lindur këtu dhe për t’u varrosur varrosen jashtë këtij vendit. Sepse nuk e duan këtë vend. E kanë këtë vend vetëm që të bëjnë para. Kjo që dëgjova këtu është narrativa…Ti je pjesa e asaj shoqatës je i njëjti soj”, tha Braçe.
Pjesë nga diskutimi;
Shehaj-Braçes: “Ti je hajdut i vogël”.
“Atë hajdutin ta kam thënë njëherë, e ke bërë si legen, ke kërkuar edhe falje”, ia ktheu Braçe-Shehajt.
“Zoti kryetar, merr masa shkova unë te ai hajduti i vogël, apo erdhi ai te unë”, përfundoi Shehaj.
