policia e fieritPrindërit denoncuan, pasi e gjetën vajzën dhe 24-vjeçarin në një ambient privat


Edmond Hoxhaj


Paniku mbi pedofilinë, i krijuar kohët e fundit duke marrë shkas nga rastet e tmerrshme të zbuluara në zona të ndryshme të vendit, duket se ka ndërgjegjësuar njerëzit të denoncojnë çdo rast të dyshimtë. Kështu ka ndodhur së fundmi edhe në Fier, ku është arrestuar një 24-vjeçar, pasi prindërit e një vajze 13-vjeçare e kanë denoncuar për marrëdhënie seksuale me të mitura. Ai ka pretenduar se e do vajzën 13-vjeçare, megjithatë kjo nuk e lë të arrestuarin jashtë përgjegjësisë penale. Madje, vajza e mitur ka tentuar ta mbrojë “të dashurin” e saj madhor, duke deklaruar se ai nuk e kishte përdhunuar, por ajo kishte shkuar me dëshirë. Në këto kushte, 24-vjeçarit i ka kushtuar shumë dashuria me vajzën, e cila sot është në klasën e tetë, ndërkohë që kishte kohë që ai kishte krijuar lidhjen intime me të.


Arrestimi


Burime zyrtare të policisë së Fierit pohuan dje për gazetën se paraditen e të shtunës është kryer ndalimi i Arjol Gjinit, 24 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet për konsumim të veprës penale të kryerjes së marrëdhënieve seksuale me të mitura. Sipas njoftimit të policisë, ai ka kryer marrëdhënie seksuale me një vajzë të mitur nën moshën 14 vjeçe, emri i të cilës nuk publikohet për arsye etike. Nga hetimet paraprake është konstatuar se i riu nuk ka ushtruar dhunë fizike apo psikike ndaj të miturës për të arritur qëllimin e tij.


Denoncimi


Grupi hetimor shpjegoi më tej se kanë qenë prindërit e të miturës 13-vjeçare, ata të cilët kanë denoncuar në polici faktin se 24-vjeçari Gjini mund të kishte kryer marrëdhënie seksuale me vajzën e tyre. Mësohet se prindërit e vajzës së mitur kanë pasur dyshime të forta se vajza e tyre mund të kishte kryer marrëdhënie seksuale, pasi e kanë gjetur bashkë me 24-vjeçarin, teksa qëndronin vetëm në një ambient privat. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, policia ka kryer ndalimin e të riut, i cili është marrë në pyetje rreth faktit të dyshuar. Gjithashtu, në praninë e një psikologeje janë marrë edhe deklarimet e të miturës.


Deklarimet


I riu 24-vjeçar e ka pranuar para hetuesve faktin se ka pasur marrëdhënie dashurore me vajzën e mitur. Madje, ai është shprehur se e donte atë dhe kishte dëshirë që në të ardhmen të martoheshin së bashku. Gjini ka theksuar se nuk ka bërë asnjë akt kundër dëshirës së 13-vjeçares, duke shtuar se marrëdhënien seksuale e ka kryer me mirëkuptimin e saj. Edhe vajza 13-vjeçare ka pranuar se ata kishin disa muaj që njiheshin me njëri-tjetrin dhe se dashuroheshin. Ndërkaq, policia u ka kërkuar mjekoligjorëve që të kryejnë akt-ekspertimin e të miturës, për të konkluduar zyrtarisht në faktin nëse vajza 13-vjeçare ka pasur marrëdhënie seksuale, ashtu siç thuhet në deklarimet paraprake. Nga këqyrja e kryer, paraditen e djeshme në spitalin e Fierit, mjekoligjorët kanë konstatuar se e mitura 13-vjeçare ka qenë e defloruar. Ky akt-ekspertim i ka dhënë të drejtën policisë të kryejë ndalimin e 24-vjeçarit Gjini, i cili edhe pse në mirëkuptim me vajzën 13-vjeçare, e ka konsumuar veprën penale të kryerjes së marrëdhënieve seksuale me të mitura.