Modelja e njohur kosovare, Ziza Pajaziti, ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe rrjeteve sociale pas raportimeve se ka vizituar në burg Laert Haxhiun, i dënuar me burgim të përjetshëm për vepra të rënda kriminale, mes të cilave vrasje mafioze dhe drejtimin e një grupi të strukturuar kriminal.
Sipas burimeve mediatike, vizita është zhvilluar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Drenovë dhe ka zgjatur rreth një orë, duke u cilësuar si “e veçantë” dhe duke ngjallur reagime të shumta.
Pajaziti, që ka një profil të spikatur në rrjetet sociale, nuk ka komentuar drejtpërdrejt për këtë vizitë. Megjithatë, pas publikimit të lajmit, ajo reagoi në mënyrë simbolike duke postuar në Instagram Story një kolazh me tre foto nga seriali “Who Killed Griselda?” që transmetohet në Netflix.
Ndërkohë, në media po shtrohen pikëpyetje mbi fenomenin se si vajza të njohura VIP përfshihen në të ashtuquajturat “takime speciale” me figura të njohura të botës së krimit që vuajnë dënime të rënda.
