Ambasadori shqiptar në Ukrainë, Ernal Filo, ka folur për “Shqipëria Live” në lidhje me sulmin rus që ndodhi në rezidencën e tij.

Filo u shpreh se pas shpërthimit kanë dalë menjëherë jashtë, por shtoi se rusët godasin civilët pa llogaritur kostot.

Ndër të tjera ambasadori zbuloi edhe një bisedë që ka bërë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky rreth sulmit.

“Krijohet panik sidomos tek fëmijët e vegjël. Këto ngjarje janë shokuese. Dolën jashtë sepse edhe ajri u bë i rëndë. Nuk dua të spekuloj por them që më shumë ka qenë rutinë ruse, ata godasin civilë, nuk marrin parasysh kostot për njerëzit që humbim.

Në momentin që marrim banesat ne i shohim në bazë të kritereve, nëse kanë ndjeshmëri ose qëllime ushtarake apo të karakterit që mund të bëhen shënjestër të sulmeve. Aty ka qenë një rezidencë ku jetonin civilë, ka qenë rastësi, ata godasin civilë.

Sot kishim një takim, na mblodhën si grup diplomatik dhe vumë lule në vendet ku janë kryer sulmet. Zelelsnky falënderoi grupin diplomatik për solidaritetin dhe ndihmën. Pata një bisedë të shkurtër me të dhe tha që ndiej keqardhje për sulmin dhe foli për mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë Ukrainës në luftë”, tha Filo./TCH