Për herë të parë në historinë e vendit, në qeveri merr pjesë e majta dhe e djathta


Italia betimi i qeveriseItalia mori dje qeverinë e saj të re, e cila u betua në pallatin presidencial Kuirinale në Romë. Zëvendëskryetari i Partisë Demokratike, Enrico Letta, bëhet Kryeministër i një “koalicioni të madh”, ku përfshihet edhe Partia Populli i Lirisë i ish-kryeministrit Silvio Berluskoni. Kjo i dha fund një periudhe krize dymujore. Rreth një kilometër larg vendit të ceremonisë, jashtë zyrës së Kryeministrit, dy oficerë policie u plagosën me armë zjarri. Njëri u godit në qafë dhe raportohet se është në gjendje të rëndë. I dyti u plagos në këmbë. Një grua shtatzënë u lëndua lehtë. Një njeri i quajtur Luigi Preiti u arrestua. Prokurorët thanë se ai ka pranuar se ka vënë nën shënjestër politikanët, i zemëruar se kishte humbur vendin e punës. “Ai synonte të qëllonte ndaj politikanëve, por për shkak se nuk arriti t’i afrohej asnjërit prej tyre, qëlloi karabinierët”, tha prokurori i Romës, Pierfilippo Laviani.


Kryebashkiaku i Romës, Gianni Alemanno, tha: “Nuk është një akt terrorizmi, por natyrisht klima (politike) e muajve të fundit nuk ka ndihmuar”.


Që nga zgjedhjet e shkurtit, ku nuk pati një fitues të qartë, Italia hyri në një krizë politike, e cila dëmtoi shpresat për përmirësim të ekonomisë. Italia është një nga viktimat e hershme të krizës financiare globale të vitit 2008.


Të shtënat ndodhën 1 kilometër larg vendit ku u zhvillua ceremonia e betimit. Aty, Leta dhe 21 ministrat e qeverisë, bënë betimin në zyrën e Presidentit Giorgio Napolitano.


Analistët thonë se “koalicioni i madh” mes partive të majta dhe të djathta është pa precedent dhe mund të rezultojë një aleancë e vështirë. Berluskoni nuk do të jetë ministër, por shumë figura të rëndësishme në partinë e tij do të jenë.


Alfano, sekretari i partisë dhe një nga aleatët e ngushtë të Berluskonit, do të jetë zëvendëskryeministër, si dhe ministër i Brendshëm në qeverinë e re.


Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i Bankës së Italisë, Fabrizio Saccomanni, do të drejtojë Ministrinë e fuqishme të Ekonomisë.


Gratë në prominencë


Kjo qeveri do të ketë më shumë gra ministre sesa zakonisht, përfshirë ish-komisioneren europiane Emma Bonino, e cila do të jetë ministre e Jashtme. Josefa Idem do të bëhet ministre e Shanseve të Barabarta dhe Sportit, ndërsa Anna Maria Cancellieri do të jetë ministre e Drejtësisë.


Ministre e Integrimit do të jetë Cecile Kyenge, një mjeke me origjinë nga Republika Demokratike e Kongos. Presidenti Napolitano tha se qeveria do të ketë mbështetje në të dyja dhomat e Parlamentit. “Shpresoj që kjo qeveri të mund të fillojë punë menjëherë në frymë të bashkëpunimit të ethshëm dhe pa paragjykime apo konflikt”, tha ai. “Ishte dhe mbetet e vetmja qeveri e mundshme.”


Qeveria e re do të përballet me situatën ekonomike që po përkeqësohet me shpejtësi, me papunësinë në rritje, veçanërisht mes moshave të reja dhe mungesën e rritjes ekonomike në kushtet e disa masave të ashpra të kursimeve të ndërmarra nga qeveria e mëparshme e teknokratëve.


Kryeministri Letta, 46 vjeç, konsiderohet si i moderuar brenda Partisë Demokratike dhe është i lidhur me Berluskonin përmes xhaxhait të tij, Gianni Letta, i cili është këshilltar i rëndësishëm i së djathtës.


Berluskoni po lufton aktualisht akuzat për mashtrim fiskal dhe seks me një prostitutë minorene, por vrojtimet e fundit të opinionit publik sugjerojnë se popullariteti i tij është rritur, gjë që i jep më shumë fuqi negociuese.


Letta shprehu “kënaqësi të përmbajtur mbi skuadrën që ai mblodhi”. Kandidatura e tij erdhi pasi udhëheqësi i PD-së, Pier Luigi Bersani, dha dorëheqjen. Brenda partisë së tij pati një rebelim mbi zgjedhjen e Presidentit të Italisë.


Forca e tretë më e fortë që doli nga zgjedhjet e Italisë, Lëvizja “Pesë Yjet” e ish-komedianit Beppe Grillo, ka refuzuar të marrë pjesë në një koalicion me dy partitë kryesore. Presidenti Napolitano, i cili po shërben një mandat të paprecedentë të dytë, ka sugjeruar se mund të japë dorëheqjen në rast se qeveria e re nuk ndërmerr reforma.


 


Analiza


Një familje e ndarë më dysh


Dy anëtarë të së njëjtës familje u detyruan të marrin drejtime të ndryshme. Xhaxhai i tij, Gianni Letta, 78 vjeç, ish-redaktor gazete, ka qenë një nga këshilltarët kryesorë të Berluskonit për shumë vite, ndërsa të dy burrat kanë mbajtur të njëjtin post si nënsekretarë në zyrën e Kryeministrit.


Se cili do të jetë rezultati i këtij “kompromisi historik” për vendin, mbetet për t’u parë.


Enrico Letta, 46 vjeç, eurofil i bindur, është Kryeministri më i ri në Romë në shumë kohë. Italia nuk ka eksperiencë me qeveri të tilla, të cilat kanë ndodhur më shpesh në Gjermani. Një përpjekje për të themeluar një qeveri të tillë më 1970-n u ndalua nga pengmarrja dhe vrasja e Aldo Moros nga Brigadat e Kuqe.


Koalicioni i ri ka gjasa se do të jetë një aleancë e vështirë, për shkak të vijimit të pranisë së Berluskonit në sfond të skenës politike. Ambiciet e tij politike duket se nuk u shuan nga kriza ekonomike, e cila i dha fund qëndrimit të tij në pushtet në nëntor 2011.


Anëtarët e qeverisë


Enrico Letta, 46: Kryeministër


Angelino Alfano, 42: Zëvendëskryeministër, ministër i Brendshëm


Fabrizio Saccomanni, 70: Ministër i Ekonomisë


Emma Bonino, 65: Ministre e Jashtme


Anna Maria Cancellieri, 69: Ministre e Drejtësisë


Enrico Giovannini, 55: Ministër i Punës


Mario Mauro, 51: Ministër i Mbrojtjes


Cecile Kyenge, 48: Ministre e Integrimit


Josefa Idem, 48: Ministre e Shanseve të Barabarta