Kryetari i Partisë së Lirisë në Shqipëri, Ilir Meta, u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK) më 21 tetor, nën dyshimet për “korrupsion, pastrim parash, mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë”.
Hetimet ndaj Metës nisën në vitin 2019 në lidhje me aferën e njohur si ÇEZ-DIA, që lidhet me privatizimin e ndërmarrjes së shpërndarjes së energjisë dhe mbledhjen e borxheve të mbetura.
Tre vjet më vonë është hapur një tjetër rast, pas një kallëzimi për pagesa në vlerë të mijëra eurove të padeklaruara nga partia e drejtuar nga Meta, për lobim në Shtetet e Bashkuara.
Arrestimi i Ilir Metës në atë kohë bëri përshtypje pasi u tërhoq zvarrë nga automjeti i tij. Që nga futja në qeli e ish-Presidentit, kjo e sotmja ishte dalja e tij e parë publike.
Por ajo që ra në sy ishte ndryshimi fizik i Metës, teksa fliste pas kafazit të xhamtë në seancën gjëqësore.
Nga videot që Meta publikonte pak ditë para arrestimit dukej në formë të mirë fizike, duke dalë për vrap në vende të ndryshme të Shqipërisë.
