Kreu i Partia Demokratike e Shqipërisë, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Bajram Begaj lidhur me emërimin e “Diellës” si ministre virtuale.
Nga selia blu, Berisha publikoi atë që e cilësoi si një investigim të një eksperti ndërkombëtar, duke pretenduar se “Diella” nuk përmban asnjë element të inteligjencës artificiale dhe se është vetëm “një avatar bosh”.
Sipas tij, emërimi i saj si “ministrja e parë virtuale në botë” përbën shkelje të rëndë kushtetuese. Berisha deklaroi se si Rama ashtu edhe Begaj kanë konsumuar, sipas tij, “krim kushtetues” me këtë vendim.
FJALA E BERISHËS
Çdo gënjeshtër i ka këmbët e shkurtra.
Çdo gënjeshtër është një turp, është në vetvete një amoralitet.
Por gënjeshtrat në rang ndërkombëtar janë turp botëror.
Dhe këtu unë do denoncoj para shqiptarëve një turp botëror të Edi Ramës dhe Haram Begajt, të cilët do hyjnë në librin e Ginesit si mashtruesit më të pacipë të opinionit publik.
Kur nga vjeshta e kaluar, Edi Rama paraqiti para shqiptarëve dhe botës një avatar, Diellën si institucioni i inteligjencës artificiale, e emëroi ministër dhe e dekretoi ministër Haram Turpi, ne e ngritëm zërin, ne thamë se ky është një bllof dhe vetëm një bllof.
Se Diella është vetëm një mashtrim për të vjedhur disa milionë euro dhe asgjë tjetër.
Edi Rama e paraqiti ministrin Diella si të gjithëfuqishmin në luftën kundër korrupsionit.
Për fat të keq, mediat ndërkombëtare fillimisht u mashtruan nga ky bllof i turpshëm, nga ky akt i paprecedent në historinë e botës.
Ndërkohë që Diella nuk kishte asnjë lidhje me urtësinë artificiale, nuk kishte asnjë element të saj, ishte thjesht një avatar bosh, një bllof i Edi Ramës për të maskuar vjedhjet e tij të tmerrshme që do dëshmoheshin dhe që dëshmohen çdo ditë.
Për sa më sipër, falë një eksperti më të shquar të fushës ndërkombëtar, Patrick Quirk, i cili i ka kushtuar ditë dhe javë të tëra zbërthimit një për një të Diellës, ai nxjerr se ministrja Diella nuk ka absolutisht as edhe një qelizë të vetme të urtësisë artificiale.
Zero!
Se është një avatar pa asnjë atribut për korrupsionin, pa asnjë ndërfaqe, etj, etj.
Një shkrim i gjatë i një profesionisti të përgjegjshëm, ndërkombëtarisht të njohur në këtë fushë, nxjerr në pah të gjithë shëmtinë e mashtrimit Rama-Begaj, të cilët përdhosën Kushtetutën, përdhosën moralin e shtetit shqiptar, mashtruan shqiptarët dhe botën duke emëruar një ministre, një bot pa asnjë funksion për korrupsionin, pa asnjë atribut, pa asnjë aftësi.
Ky është një krim i shëmtuar kushtetues.
Kjo është një damkosje tjetër e imazhit të Shqipërisë në Evropë dhe botë.
