Prokuroria 


Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur akuzat ndaj dy vëllezërve vlonjatë, që u arrestuan disa ditë më parë në Vlorë, teksa u denoncuan nga një shtetase italiane se i mbante peng fëmijët. Altin dhe Besmir Kaçaj akuzohen për shfrytëzim prostitucioni dhe gjobëvënie, ndërsa kërkesa për masën e sigurisë ndaj tyre është dërguar në gjykatë. Sot, në orën 11:00 do të zhvillohet masa e sigurisë ndaj tyre, ku akuza do të parashtrojë edhe kronologjinë e akuzave ndaj të arrestuarve. Prokurori Gentian Trenova mësohet se do të kërkojë masën e arrestit me burg, ndërsa gruaja italiane me iniciale V. P. është rimarrë në pyetje. Ajo ka shpjeguar më hollësisht të gjitha faktet, ndërsa ka pranuar se i ka lënë fëmijët në mirëbesim. Pasi ka tentuar t’i marrë, dy vëllezërit Kaçaj i kanë kërkuar që të prostituonte dhe fitimet t’ua jepte atyre, pasi në të kundërt fëmijët ishin në rrezik. Vetë të pandehurit kanë mohuar akuzat, duke pohuar se kanë qenë “dadot” e dy fëmijëve italianë.