Një krim i rëndë brenda familjes ka tronditur qytetin e Shkodrës mesditën e kësaj të enjteje, ku një grua humbi jetën pasi u qëllua me armë zjarri nga bashkëshorti i saj.
Viktima është Bardhe Ziçi, rreth 55 vjeçe, ndërsa autori i dyshuar është bashkëshorti i saj, Shtjefen Ziçi, 62 vjeç. Pas ngjarjes, ai është arrestuar nga policia.
Sipas të dhënave paraprake, ngjarja ndodhi në banesën e çiftit, në lagjen “Mark Lula”, ndërsa grupi hetimor po punon për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe rrethanat e krimit.
Policia ka reaguar në lidhje me ngjarjen, duke bërë publik këtë njoftim:
“Rreth orës 13:30, në lagjen “Mark Lula”, dyshohet se për motive të dobëta, shtetasi 62 vjeç Shtjefen Ziçi, ka vrarë me armë zjarri, bashkëshorten e tij, shtetasen Bardhe Ziçi, rreth 55 vjeçe.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë kapur autorin e dyshuar, Shtjefen Ziçin, i cili u shoqërua në Komisariat, për kryerjen e veprimeve procedurale.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar armën e zjarrit me të cilën dyshohet se është kryer krimi.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.”
