Pesë persona do të përballen me gjykatën penale për akuzat e mashtrimit kompjuterik  dhe shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale, në mbyllje të hetimeve të prokurorisë së Tiranës, pas hetimit profesional të sektorit kundër krimit ekonomik në Policinë e kryeqytetit.

Pas kallëzimit nga Digitalb, se subjekte të ndryshme në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë, shesin tek individët paketa televizive nëpërmjet piraterisë, hetimet provuan se të pandehurit  nëpërmjet shoqërive të tyre mashtronin shtetas të ndryshëm, sikur dispononin të drejtat televizive të këtyre kanaleve. Këta persona, si administratorë të subjekteve të tyre, bënin të mundur dekodifikimikin dhe trasmetimin nëpërmjet dekoderave.

Prokuroria e Tiranes nëpërmjet veprimeve simuluese të blerjeve të pajisjeve dekoder dhe paketave televizive që këto subjekte tregtonin duke i reklamuar në rrjetet sociale dhe i shisnin me vlera nga 3500 deri 10.000 lekë, krijoi dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se subjektet kanë shkelur  ligjin. Nga rastet e provuara rezulton se  paketat ofroheshin kundrejt vlerës prej 79 euro duke komunikuar në aplikacionin WhatsApp një shumë që jepej dorazi.

Shitja bëhej edhe duke përdorur postën private kundrejt pagesës 3500 lekë, pagesë e cila kryhej në dorë me një listë kanalesh të siguruara nga faqja ‘Unik Shop’ ku përfshiheshin kanale shqiptare edhe të huaja “BBV 1”, “BBV 2”, “Top Channel”, “TV Klan” paketa televizive Digitalb, Tring, Sky, të cilat nga data e kryerjes së pagesës vazhdojnë të jenë aktive. Po kështu edhe subjekti Elektronika Shop, vepronte në rrjetet sociale me emrin tregtar “Elektronikashop.al”, dhe shiste paketat në vlerën 4000 lekë dhe pajisja vinte nëpërmjet korrierëve të postave private.

Si dhe subjekti 4k server (Kanale.al), nga të dhënat e administruara rezulton të jetë në përdorim nga nje person qe ofronte kundrejt pagesës 100 Euro për 2 blerje. Kanalet shfaqen nëpërmjet IboPlayer. Pjesë e hetimit ishte edhe subjekti “Lila Shop” i shiste nëpërmjet rrjeteve sociale  me vlerën 6500 Lekë dhe pajisja dekoder vinte nëpërmjet korrierëve të postave private.