Policia greke vijon hetimet për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Athinë, ku 50-vjeçari shqiptar Altin Allmuça dyshohet se vrau me armë zjarri një 45-vjeçare dhe më pas i dha fund jetës.

Autoritetet po përpiqen të zbardhin marrëdhënien mes dy personave dhe motivin që çoi në krim. Sipas mediave greke, Allmuça ishte i martuar dhe kishte një fëmijë, ndërsa bashkëshortja e tij ka deklaruar para hetuesve se nuk kishte dijeni për një marrëdhënie të mundshme të tij me viktimën.

Një nga pistat kryesore të hetimit lidhet pikërisht me raportin personal mes 50-vjeçarit dhe 45-vjeçares. Policia po përpiqet të përcaktojë natyrën dhe kohëzgjatjen e kësaj marrëdhënieje, si dhe nëse mes tyre kishte pasur konflikte.

Në kuadër të hetimeve është kontrolluar edhe banesa e Allmuçës në Tavros. Policia ka sekuestruar dhe po verifikon pajisje elektronike, dokumente dhe sende të tjera që mund të ndihmojnë në rindërtimin e lëvizjeve të tij para ngjarjes.

Gjithashtu, po analizohen telefonat celularë dhe aktiviteti online i dy personave, për të zbuluar komunikime, takime apo konflikte të mundshme para vrasjes.

Sipas të dhënave paraprake të hetimit, 50-vjeçari dyshohet se i kishte ngritur një pritë 45-vjeçares dhe e priste pranë banesës së vajzës së saj. Pasi e qëlloi për vdekje, ai dyshohet se përdori të njëjtën armë për t’i dhënë fund jetës.