Programi investigativ “Inside Story” starton sonte në Top Channel sezonin e 8-të të transmetimit. Ashtu siç është bërë traditë, programi do të jetë në Prime Time, çdo të mërkurë në orën 21:00.

Formati do të sjellë hulumtime të thelluara të tematikave të ndryshme që synojnë zbulimin e paligjshmërive, akteve korruptive, abuzimin me pushtetin, cënimin e të drejtave, shpërdorimin e fondeve publike, krimin e organizuar, etj.

Sezoni i ri do të çelet me dokumentarin “Dumani, zëri i një vrasësi”. Një histori që për herë të parë zbulon rrëfimin me zërin e bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani.

Rrëfimi i plotë për jetën kriminale të një personazhi që nga jeta normale, u ngjit pranë njerëzve të rëndësishëm të krimit të organizuar. Seriali i krimeve brutale të rrëfyera në vetë të parë, lufta e ashpër mes bandave, lidhjet okulte mes grupeve të rëndësishme të krimit dhe influenca në sferën publike.

Si janë futur duart e krimit në drejtësi dhe institucione të ndryshme? Deri ku kanë depërtuar rrënjët e bandave të rrezikshme…?!/ Top Channel