Përkeqësimi i kushteve të jetesës, shkaku kryesor
Ekonomia shumë problematike dhe në krizë të thellë e Greqisë ka nxjerrë shumë njerëz në rrugë të madhe dhe ka ndërprerë mbështetjen për emigrantët e paligjshëm. Kjo do të thotë që shumë njerëz nuk kanë ç’të hanë dhe si pasojë janë shndërruar në një kontingjent krimi dhe pikërisht ai i rrugës po shtohet përditë në numër në këtë vend dhe çka është më e keqja, policia duket e paaftë për të ndaluar. Lajmet për grabitje të përditshme të vogla dhe të mëdha vijnë duke u shtuar. Tani edhe pensionistët q
ë shkojnë për të tërhequr pensionin rrezikojnë nga ndonjë grabitje dhe dhunim i mëtejshëm. Histori të tilla të përditshme po shndërrohen në pjesë të realitetit të një vendi që ishte krenar me arritjen e tij në fushën e rendit dhe qetësisë, një vendi që kishte ndër përqindjet më të ulëta të kriminalitetit në Bashkimin Europian. Sipas statistikave, lypësit janë rritur në këtë vend në masën 50% krahasuar me një vit më parë, por shifrat kombëtare flasin për një rritje edhe të vjedhjeve të vogla, mes të cilave edhe ato të banesave. Një kriminolog i famshëm i Universitetit të Egjeut, thotë se gjithsesi as statistikat nuk ka të ngjarë që të shpalosin një tablo të vërtetë të asaj çka po ndodh në vend dhe të shkallës së të gjitha këtyre fenomeneve të reja dhe të shtuara të dhunës. Ka krime që nuk janë të mundura të regjistrohen apo ta shndërrohen në statistikë. Dhe shpesh bëhet fjalë për shifra shumë më të mëdha se ato që jepen në sondazhet zyrtare. Për shembull, shumë viktima mund të mos zgjedhin që të shkojnë e të bëjnë denoncimet në polici për shumë arsye, për shkak të kërcënimit, të mosbesimit te forcat e policisë e të tjerë. Shifrat e krimit janë shumë më të larta nga ato zyrtare dhe në këto kohë kjo është më e vërtetë se kurrë. Të paktën sipas statistikave të policisë, thuhet se emigrantët e paligjshëm janë ndër më problematikët për sa i takon kontingjentit të krimit. Madje, sipas këtyre statistikave, gjysma e këtyre krimeve kryhet nga emigrantët e paligjshëm. Policia greke e ka pranuar se grupe të armatosura hyjnë në vend edhe nga vendet fqinje, si Shqipëria dhe Bullgaria, dhe ata mund të jenë tërhequr nga lajmi se shumë njerëz në Greqi tërheqin para nga bankat, për shkak të krizës dhe mungesës së besimit në bankat greke dhe kësisoj këta njerëz mund të shndërrohen në kontingjentë sulmi dhe vjedhjeje. Sipas shifrave, që nga viti 2010 kanë dalë nga vendi 72 miliardë euro nga njerëzit, pra kursimet e tyre janë zhvendosur gjetkë dhe janë ata që druhen se mos institucionet e tyre financiare do të pësojnë kolaps, sikundër pritet prej kohësh dhe ata do të humbasin kursimet e tyre. Shkak për varfërinë dhe rritjen e krimit në radhë të parë janë kushtet ekonomike të qytetarëve që po përkeqësohen, sidomos pas masave shtrënguese që janë marrë dhe po merren nga qeveria për të kursyer dhe përfituar ndihmë nga paketa e shpëtimit financiar.
Faktet
Shkak për varfërinë dhe rritjen e krimit në radhë të parë janë kushtet ekonomike të qytetarëve që po përkeqësohen, sidomos pas masave shtrënguese që janë marrë dhe po merren nga qeveria
Sipas shifrave, që nga viti 2010 kanë dalë nga vendi 72 miliardë euro nga njerëzit, pra kursimet e tyre janë zhvendosur gjetkë dhe janë ata që druhen se mos institucionet e tyre financiare do të pësojnë kolaps
Sipas statistikave, lypësit janë rritur në këtë vend në masën 50% krahasuar me një vit më parë, por shifrat kombëtare flasin për një rritje edhe të vjedhjeve të vogla, mes të cilave edhe ato të banesave