Një ngjarje tronditëse ka marrë fund me një vendim të rëndë gjykate në Selanik të Greqisë. Një 40-vjeçar shqiptar është dënuar me 17 vite burg për përdhunimin dhe dhunën fizike ndaj gruas së tij, ngjarje që ka ndodhur edhe në prani të fëmijëve të tyre të mitur.
Ngjarja ndodhi në mars të vitit të kaluar, kur gruaja 30-vjeçare gjeti kurajon për të denoncuar abuzimet e rënda që përjetonte prej kohësh nga bashkëshorti i saj.
Sipas denoncimit të saj, burri jo vetëm që ushtronte dhunë fizike, por edhe e përdhunonte, shpesh herë në prani të fëmijëve të vegjël.
Fillimisht, shqiptari u arrestua, por më pas u lirua me kusht dhe u gjykua në gjendje të lirë. Në deklaratat e para, ai mohoi akuzat për përdhunim, duke pranuar vetëm se e kishte goditur gruan me shuplakë.
Gjykata e Selanikut, pas shqyrtimit të provave, e shpalli fajtor për përdhunim, dëmtime të rënda trupore dhe kërcënime, duke vendosur një dënim total prej 17 vitesh burg.
Gjithashtu, u vendos që edhe në rast apelimi, vendimi nuk do të pezullohet, çka do të thotë se 40-vjeçari do të qëndrojë në burg gjatë gjithë kohës së shqyrtimit të çdo ankimimi të mundshëm.