Policia e Shkodrës ka dhënë detaje të reja lidhur me vrasjen tronditëse të ndodhur këtë mëngjes në rrugën “At Shtjefën Gjeçovi”, ku një turiste amerikane ka humbur jetën pas një akti dhune brenda një banese të marrë me qira.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:15. Viktima është identifikuar si shtetasja amerikane Sandra Holley Saporito, e cila dyshohet se është goditur me mjet prerës (thikë) nga bashkëshorti i saj, Brandon Saporito, i cili gjithashtu është shtetas amerikan.

Autori i dyshuar ndodhej në gjendje të dehur në momentin e arrestimit dhe ka pësuar dëmtime të lehta në duar, të shkaktuara nga mjeti prerës. Ai u transportua fillimisht në spital për ndihmë mjekësore dhe më pas është shoqëruar nga policia për procedurat hetimore.

Çifti kishte vetëm pak ditë që kishte mbërritur në Shqipëri për pushime dhe banonin në një shtëpi me qira. Gruaja ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes si pasojë e plagëve të marra.

Shkodër/Informacion paraprak

Rreth orës 10:15, në rrugën “At Shtjefën Gjeçovi”, në një banesë të marrë me qira, dyshohet se është vrarë me mjet prerës, shtetasja amerikane, S. S.

Në banesë u gjet bashkëjetuesi i saj, shtetas amerikan, i cili dyshohet se është autori i vrasjes. Ky shtetas u shoqërua në spital për ndihmë mjekësore, pasi dyshohet se është në gjendje të dehur dhe ka dëmtime të lehta, në duar, me mjete prerëse.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave dhe për dokumentimin ligjor të rastit.