Është zbardhur dëshmia e fëmijëve të Sose Xhebroj, 40-vjeçares e cila u vra nga bashkëshorti i saj ditën e djeshme në Orikum të Vlorës, ndërsa më pas ai kreu vetëvrasje.

Sipas një të afërmi, dy fëmijët e saj, 16 dhe 19 vjeç, pasi nuk kanë marrë përgjigje nga telefoni i nënës së tyre, janë nisur drejt banesës së saj së bashku me dy shokë. Djali i madh ka hyrë në banesë dhe në katin e tretë ka gjetur nënën pa shenja jete, me një fashë në qafë dhe të gjakosur.

Ai ka njoftuar menjëherë vëllanë tjetër, i cili ishte në makinë me dy shokët, dhe më pas kanë kontaktuar ambulancën e Orikumit. Ambulanca ka mbërritur në vendngjarje dhe e ka transportuar trupin e gruas drejt Spitalit të Vlorës, ku mjekët kanë konfirmuar vdekjen e saj.

Ndërkohë, babai i tyre ka kryer vetëvrasje në garazh me armë zjarri.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie familjare.