Florion Dalladaku, autori i dyshuar i ngjarjes së rëndë në Krutje të Lushnjës, është arrestuar rreth një orë pas krimit në Fier.

45-vjeçari është kapur nga Policia në Fier, teksa dyshohet se po tentonte të largohej me një automjet Ford ngjyrë blu.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 21:20, në banesën e familjes në Krutje. Sipas policisë, për motive ende të paqarta, Dalladaku dyshohet se ka goditur me një mjet metalik, sqepar, nënën e tij, Fanije Dalladaku, 80 vjeçe.

E moshuara ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.

Ndërkohë, babai i tij, Hasan Dalladaku, 77 vjeç, ka mbetur i plagosur rëndë dhe ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Pas sulmit, 45-vjeçari u largua nga banesa, duke vënë në lëvizje shërbimet e Policisë. Kërkimet vijuan deri në Fier, ku u bë e mundur kapja e tij.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të krimit.